Basha: Kam marrë mbështetje të fuqishme nga Sllovenia dhe Kroacia për integrimin e Shqipërisë në BE

21:36 | 19 Shkurt 2021
A. B.

Lideri i partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, e përfundoi vizitën në Slloveni dhe Kroaci, ku u takua me kryeministrin slloven Janez Jansha, vend i cili do të marrë presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian dhe me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, vendi i të cilit është anëtar më i ri i Bashkimit Evropian.

Prej tyre, të cilët Basha i përshkruan si dy miqtë e tij të mirë dhe të Shqipërisë, ai thotë se ka marrë mbështetje të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Takimet me kryeministrat Jansha dhe Plenkoviq ishin takime jashtëzakonisht të frytshme dhe jam shumë i inkurajuar për mbështetjen që mora dhe ditët e mira që kemi përpara. Mirëpritën planin tonë ekonomik me të cilin ne do të thithim investime të huaja dhe zhvillojmë Shqipërinë, si dhe planin për integrimin evropian të vendit. Shqipëria do të ecë përpara në rrugën e Bashkimit Evropian. Sepse ne kemi vullnetin dhe kemi mbështetjen e miqve tanë në këtë proces jetik. Gjatë 8 viteve të qeverisjes se tij, Rama vetëm e ka larguar Shqipërinë nga Bashkimi Evropian. Vetëm i ka shtuar pengesa Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne do t’i kalojmë të gjitha pengesa dhe do të korrigjojmë dështimet e Ramës e do të sjellim zhvillim dhe progres në rrugën e integrimit evropian. Ashtu si ia dolëm që me vendosmëri dhe besimin e partnerëve evropian dhe amerikan ta fusim Shqipërinë në NATO, ashtu siç hoqëm vizat, me të njëjtin vullnet dhe punë të pandalshme bashkë me ju dhe me ndihmën e miqve tanë do ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, thotë Basha në video paraqitjen e tij.

Ai shton se, të dy kryeministrat kanë shprehur dëshirën e tyre për të forcuar lidhjet me Shqipërinë në të gjitha fushat: në turizëm, në tregti, në diplomaci, në biznes, në investime.

“Diskutuam mënyrat se si mund të arrihen këto, menjëherë pasi të zgjidhem kryeministër”, tregon Basha, i cili është I bindur në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Gjatë vizitës së Bashës në Lubjanë dhe Zagreb, mediat sllovene dhe kroate i përkushtuan hapësirë ​​të gjerë, veçanërisht duke theksuar mbështetjen e shprehur të Janshës dhe Plenkoviqit për fillimin e negociatave të Shqipërisë për këtë vit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme