Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me gra të Burrelit për problemet që përballen sot në qytetin e tyre. Basha tha se emigracioni, kryefjala e ngritur nga bashkëbisedueset, shkakton plagë të madhe një herë tek nënat dhe gratë, pastaj për Shqipërinë. Për këtë ai shpjegoi planin e Partisë Demokratike që parashikon përmirësimin e kushteve gratë dhe për rininë në veçanti. Trajnimet profesionale, paga të barabarta me burrat janë vetëm disa nga pikat që synojnë të kthejnë dinjitetin e munguar të gruas shqiptare sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
“Kam thënë dhe dua ta përsëris: një shoqëri e përcakton përparimin e vet përmes shumë parametrave, por parametri kryesor është si e trajton gjysmën e saj, si e trajton gruan. Shoqëri me pasuri të mëdha natyrore që nuk dinë t’i japin gruas vendin që meriton mbesin në vend. Shoqëri shumë më pak të pasura me burime natyrore, por kur gruaja ka të njëjtën mundësi si burri, ku vajzat dhe djemtë kanë të njëjtën mundësi për të ecur përpara, ndërtojnë mirëqenie, ndërtojnë ekonomi, ndërtojnë një bashkëjetesë në harmoni, ecim përpara ekonomikisht, ecim përpara në shëndetësi, në arsim, në kulturë, dhe jetojnë në kushte shumë më të gëzueshme dhe shumë më harmonike sesa shembulli i parë që ju dhashë. Ku jemi në raport me këtë? Ku jemi në raport me këtë realitet? Ne kemi dëgjuar shumë fjalë. Në këto 8 vite janë bërë premtime pafund për çdo fushë të jetës e në veçanti për gruan shqiptare. Por në fakt realiteti është se papunësinë më të madhe e vuajnë gratë, se plagën e madhe të emigracionit që ka krijuar largimi i të rinjve e vuajnë nënat. Fakti është se si në çdo fushë tjetër të jetës dështimet e këtyre 8 viteve në raport me të drejtat e grave, me mundësitë e grave për punësim, me pagat e barabarta nuk mund të fshihen pas fasadës. Mund të marrësh 4 apo 5 gra dhe zonja dhe t’i keqpërdorësh për të treguar se gjoja t’i i respekton ato por sa kohë që ai që do të jetë model jo thjesht për vendimet që merr por dhe për sjelljen e tij, i pari i qeverisë, përdor gjuhë të papranueshme, fyese, denigruese ndaj bashkëpunëtoreve gra, ndaj gazetareve gra dhe ndaj grave në tërësi dhe për sa kohë fjalët nga veprat i ndan jo një det por një oqean atëherë këto 8 vite e kanë treguar fare qartë se çfarë bilanci sjellin, një përkeqësim në çdo fushë të pozitës së gruas në shoqëri. Jo më kot në programin tonë për qeverisjen e pas 25 Prillit gruaja zë një vend të veçantë dhe ne e kemi futur në program nën një titull mund të them i cili është i thjeshtë për t’u kujtuar “grua e fortë, Shqipëria e fortë”. Por nuk është i lehtë për t’u zbatuar. Që të zbatohet na duhet ndihma e të gjithë nënave, e të gjithë bashkëshorteve, e gjithë motrave dhe grave shqiptare e gjithë vajzave shqiptare. Na duhet në radhë të parë për të korrigjuar dështimin më të madh që është ekonomia. Një nga plagët më të mëdha të qarkut Dibër, pjesë e cilës është dhe Mati, është papunësia dhe tek papunësia dallojmë dy grupe të cilat janë më të gatitura, rinia dhe gruaja. Pothuajse 80% e grave të qarkut të Dibrës janë pa punë. Janë pa punë, të tjera janë llafe kot, janë fjalë kot. Edhe në qarqe të tjera papunësia e grave është shumë e lartë. Si do ta adresojmë ne këtë? Së pari, duke mundësuar nëpërmjet shtytjes pozitive, asaj që quhet diskriminimi, të trajnojmë dhe të ritrajnojmë, t’i japim mundësin për trajnim dhe ritrajnim profesional të paguara nga qeveria grave shqiptare, ç’ka është e domosdoshme për t’i përgatitur për tregun e punës dhe kjo do të ecë paralel me përpjekjet tona. Masat fiskale dhe ekonomike që do të sjellin investime shqiptare dhe të huaja. Investimet kërkojnë krah të kualifikuar pune të çdo niveli, nga niveli bazik i prodhimit te niveli i menaxhimit. Ndaj, në planin tonë, përfitimi që do të ketë rinia me 20 trajnime profesionale nga Aleanca Europiane e Universiteteve me financim shqiptare por edhe të Bashkimit Europian, do të përfitojë edhe gruaja shqiptare, edhe vajzat shqiptare, të rejat shqiptare. Së dyti, duhet të garantojmë që ajo që shkruhet, të zbatohet. Shkruhet që për punë të barabartë gratë duhet të kenë pagë të barabartë me burrat. Ne e dimë fare mirë që ky nuk është realiteti, as në shtet, as në privat. Moszbatimi i këtij rregulli bazë, sjell si pasojë shfrytëzimin. Shfrytëzimin e gruas, gjysmës së shoqërisë e cila bën dyfishin e punës, kur është e punësuar, orarin e punës dhe pastaj pjesën tjetër të kohës ja kushton familjes, fëmijëve. Si mund të kemi ne fëmijë të shëndetshëm dhe një të ardhme të sigurt në qoftë se nuk garantojmë pagë të barabartë për kushte të barabarta, jo me letër por me fakt dhe ky është një prioritet i programit dhe i planit tonë të hartuar me disa nga ekspertët dhe zonjat më të nderuara të Partisë Demokratike, eksperte po kështu të shoqërisë civile dhe mendime Europiane”, tha Basha.
Duke e konsideruar familjen si gurëthemeli i Partisë Demokratike, Basha përsëriti planin e mbështetjes për familjet e reja dhe studentët. Sipas tij, programi parashikon për 5 mijë çifte të reja çdo vit do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe shteti do të subvencionojë 100% interesat e kredisë. Bonusin prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët nga momenti i lindjes deri në momentin që arrijnë 5 vjeç, tekste shkollore falas, zgjatja e orarit të mësimit me vakte të paguara nga shteti dhe financimi 100% i bursave për studentët që vijnë nga familje me të ardhura deri 640 mijë lekë të vjetra në muaj, janë vetëm disa nga vendimet e para sipas Bashës nëse vjen në qeveri.
“Për ne familja është gurëthemeli i shoqërisë, për Partinë Demokratike, për Partinë Popullore Europiane, pjesë e të cilës jemi. Ne besojmë se familja është ambienti më i shëndetshëm për të rritur individë të suksesshëm dhe për t’i dhënë mundësinë shoqërisë të eci përpara. Së pari, do t’i mundësojmë çifteve të reja që jo thjesht të lidhin kurorë me letra, por të kenë mundësi të blejnë një banesë. Prandaj, punësimi, pagat e mira janë qëllimi kryesorë i programit tonë, por nuk mjafton, ne do të subvencionojmë nga buxheti i shtetit 5 mijë çifte të reja çdo vit, pra, 20 mijë çifte në krye të 4 viteve do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe ne do të subvencionojmë 100% interesat e kredisë, një skemë që e aplikojnë edhe vende perëndimore. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë, atëherë Shqipëria do të vazhdojë të tkurret, ca nga emigracioni, e ca nga fakti që po bie në pikiatë lindshmëria. Shqiptarët po bëjnë më pak fëmijë se sa mbahet mend në 40 apo 50 vjet. Faktori i dytë është që edhe kur ke një vend pune, kosto e fëmijës është e papërballueshme. Ndaj, duke filluar nga muaji i parë i qeverisjes tonë, ne do të adoptojmë bonusin për fëmijët që është 30 mijë lekë të vjetra në muaj, nga momenti i lindjes deri në momentin që arrin 5 vjeç. Për fëmijët që fillojnë ciklin shkollor, po kështu do të ketë një ndihmë të veçantë. Tekstet shkollore do të jenë të paguara nga shteti dhe jo më këto rregulla të cilat faktikisht janë të pazbatueshme, por të paguara nga shteti dhe do t’i përkasin fëmijës. Nuk ka nevojë të marrësh tekste të përdorura apo të ndëshkohesh sepse ke bërë një shënim tek libri. Por jo vetëm kaq, duke filluar që nga viti ynë i parë i qeverisjes me qëllim që brenda 2 viteve të para ta shtrijmë në të gjithë territorin e vendit, ne do të përdorim një skemë e cila do të mundësojë që gruaja shqiptare të lehtësohet në një nga vështirësitë apo ankthet kryesore që ka çdo nënë, ku e kam fëmijën pasi del nga shkolla. Ne do të adoptojmë një orar të ri mësimorë, që do t’ia mundësojë familjeve që dëshirojnë që fëmijën ta mbajnë në shkollë deri në orën 4 pasdite dhe gjatë kësaj kohe, gjatë kësaj periudhe shtesë, fëmijës do t’i ofrohet një vakt i paguar, dreka pra, e paguar me paratë e buxhetit të shtetit që është një lehtësim i jashtëzakonshëm për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, sikundër do të jepet mundësia që të mësojë një gjuhë të huaj, apo të bëjë detyrat e shtëpisë, apo të mësojë kompjuterin, apo të merret me diçka që ka lidhje me artin, me kulturën, një instrument muzikor ndoshta, apo sport. Pra, gjëja e parë që duhet të bëjmë është t’i kthejmë shkollat tona në tempuj, jo thjesht të dijes, po të edukimit në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo do të kërkojë investime të mëdha. Investime, të cilat do të jenë prioritare për buxhetin e qeverisë së ardhshme. Së dyti, do kërkoj që jo vetëm të nderojmë, respektojmë dhe të paguajmë në mënyrë dinjitoze arsimtarët aktualë, por na duhen dhe arsimtarë të tjerë për të mbuluar këtë orar shtesë, të edukimit fizik, artit, teknologjisë së informacionit, të gjuhëve të huaja. Pyetja është njësoj si për zotimet dhe angazhimet e tjera të planit tonë: ku do t’i gjeni paratë? Përgjigjja ime ndaj çdokujt që j’ua bën këtë pyetje është: paratë do t’i gjejmë në buxhet. Aty ku i gjejnë paratë dhe ku i ka gjetur paratë 8 vite me radhë kryeministri në ikje, për t’ju dhënë miliarda, miliarda euro oligarkëve, një grushti njerëzish që janë pasuruar më shumë se sheikët e naftës. Taksat, i kanë marrë? A i kanë rritur? A premtuan 97% të shqiptarëve do të paguanin më pak taksa, kur në fakt sot të gjithë paguajnë më shumë taksa?! Faturat e energjisë i kanë rritur, naftën e kanë rritur, pra, taksat i mbledhin, madje i kanë rritur, ndërsa kur vjen puna t’jua kthejnë në shërbime, atëherë të gjitha taksat avullojnë dhe kthehen në favore për një grusht njerëzish. Ne do të paguajmë nga buxheti i shtetit për këtë program, i cili do të nisë në zonat rurale, do të nisë në qytetet e vogla, aty ku hendeku është bërë edhe më i madh, dhe pastaj do të shtrihet në çdo trevë të Shqipërisë, në të gjithë Shqipërinë. Faza e tret është padiskutim përgatitja për një profesion dhe shumicën e rasteve familjet shqiptare me të drejt e kërkojnë këtë përmes universitetit. Universitete sot janë bërë të papërballueshme për 90% të familjeve shqiptare, s’paguajnë dot tarifat e bachelor apo të master. Ndaj, plani ynë për rinin është në fakt edhe një plan që ju vjen në ndihmë nënave shqiptare, familjeve shqiptare që parashikon që për të gjitha familjet që kanë nën 640 mijë lekë të ardhura në muaj, shteti do të subvencionojë 100% tarifën për bachelor dhe për master. E kjo nuk është një ndihmë e vogël. Ndërkohë universitetet do të ndryshojnë natyrën e trajnimit, nuk do të japin thjesht një diplomë, por do t’i trajnojnë realisht për profesionin sepse mundësitë që një i ri apo e re, një bir apo bij e juaja të gjejnë një vend pune, pasi të jetë trajnuar siç duhet. Në Shqipërinë e të nesërmes, do të jenë shumë të mëdha. J’ua them këtë duke e krahasuar Shqipërinë, jo me vendet e BE-së, por duke e krahasuar me vendet që kemi rreth e qark, me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën, me Malin e Zi. Dhe së fundmi, përfaqësimi. Përfaqësimi politik, përfaqësimi në administratë. Ju them dhe një herë, nuk do të jeni fasadë, nuk do të jeni numra, as justifikime dhe alibi për dështime, po do të bëjmë gjithçka që të fuqizoheni dhe të keni rolin tuaj në vendimmarrjet politike të qeverisë së nesërme, të shtetit të nesërm sepse jeni të paktën gjysmë për gjysmë aksionerë me burrat dhe në fakt për barrën që mbani, jeni dhe më shumë. Ndaj, nga kryeministri i ardhshëm dhe nga qeveria e ardhshme meritoni respekt, meritoni mbështetje, me programe dhe plane sepse mundësitë që një i ri apo e re, një bir apo bijë e juaja, të gjejë një vend pune, pasi të jetë trajnuar siç duhet. J’ua them këtë duke e krahasuar Shqipërinë, jo me vendet e BE-së, por duke e krahasuar me vendet që kemi rreth e qark, me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën, me Malin e Zi. Detyra ime është që çdo zotim dhe çdo angazhim të planit tonë, ta bëjmë realitet pas 25 prillit, por për këtë ju kërkoj që gjithë fuqinë dhe gjithë energjinë ta transformoni, të jeni lajmëtare të ndryshimit që po vjen në të gjithë familjet shqiptare, me të gjitha shoqet, të afërmet, vajzat, gratë dhe bashkëshortet kudo në Mat, në Dibër dhe të gjithë Shqipërinë”, tha Basha./tvklan.al
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?