Basha dhe aleatët e tij bllokuan ekonominë e shqiptarëve

22:44 | 25 Prill 2019
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri, Erion Braçe ka reaguar pas protestave të zhvilluara nga partitë opozitare në të gjithë vendin, duke theksuar se bllokimi i rrugëve ka shkaktuar një kosto të lartë ekonomike për vendin.

Zëvendëskryeministri renditi disa nga pasojat e ardhura nga protestat e zhvilluara të opozitës ku u bllokuan disa nga arteriet kryesore rrugore në vend, duke bllokuar sipas tij ekonominë e shqiptarëve.

“Së pari, bllokoi kamionët e eksporteve të gjithë industrisë së manifakturës në vend.
Kjo industri mban në punë e paguan dhjetëra-mijë njerëz, dhjetëra-mijë familje.

Së dyti, bllokoi kamionët e eksporteve të produkteve bujqësore në vend.
Këto produkte vijnë nga puna e përditshme dhe e vështirë e qindra-mijë bujqve, mban me punë e paguan qindra-mijë familje bujqësore.

Së treti, bllokoi kamionët e eksporteve të mineraleve të industrisë nxjerrëse,
kromit, bakrit, naftës. Kjo industri mban me punë e paguan dhjetëra-mijë punëtorë, minatorë e naftëtarë, dhjetëra-mijë familje punëtorësh.

Së katërti, bllokoi kamionët e eksporteve të mineraleve të përpunuara, metaleve e naftës. Kjo industri mban me punë e paguan dhjetëra-mijë punëtorë, metalurgë më së shumti e të tjerë që punojnë në industrinë përpunuese të naftës, dhjetëra-mijë familje punëtorësh”, theksoi Braçe.

Protestat e opozitës sipas Braçes kanë penguar lëvizjen e punëtorëve dhe mijëra turistëve të huaj.

Së pesti, bllokoi dhjetëra-mijë punëtorë që tamam në orën 18:00, lanë punën për t’u kthyer në familjet e tyre, veçanërisht në shërbim të fëmijëve të tyre.

Së gjashti, bllokoi lëvizjen e dhjetëra-mijë turistëve të huaj që ndodhen njëkohësisht në këtë vend, vijnë drejt Tiranës apo prej saj lëvizin drejt Durrësit, Krujës, Shkodrës, Beratit apo edhe më tej në Jug të vendit.
Janë ata klientela unike e industrisë së turizmit, e cila po rritet çdo sezon me mbi 10% në këto 4 vite, janë 21 milionë turistë. Kjo industri mban me punë dhe paguan disa qindra-mijë shqiptarë, të rinj kryesisht, në transport, shërbimin e hotelerisë, guidës etj., disa qindra-mijë familje punëtorësh.

Së shtati, bllokoi gjithashtu, qarkullimin e mallrave në zinxhirin tregtar që ushqen shërbimet në këtë vend, një sektor i gjerë që mban me punë e paguan qindra-mijë punëtorë, familje punëtorësh! Pra, Lulzim Basha dhe sivëllezërit e tij aleatë, tamam ata që i poqën të gjallë punëtorët në Gërdec, tamam ata që i pushkatuan live punëtorët në Bulevard, bllokuan sot thjesht e vetëm ekonominë e shqiptarëve, atë që mban në punë e paguan qindra-mijë punëtorë të zakonshëm kudo në Shqipëri! A ka më krim se ky?
Poooo, është ai që të merr jetën, por edhe atë krim e ka kryer tamam ky, Lul Basha”, përfundon reagimi i Braçes./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme