Banka e Shqipërisë mban shtesën kundërciklike të kapitalit në nivelin zero për tremujorin e fundit

07:24 | 6 Tetor 2021
S D

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me rritjen ekonomike, duke e shtuar eventualisht rreziqet sistemike.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë në nivelin zero shtesën kundërciklike të kapitalit të sektorit bankar. Në vendimin periodik tre mujor, të publikuar në fund të muajit shtator, Guvernatori, Gent Sejko, ka vendosur të ruajë nivelin zero për këtë tregues edhe për tremujorin e fundit të këtij viti. Pavarësisht se niveli i shtesës kundërciklike të kapitalit për banakt tregtare vendoset në fund të çdo tremujori, ato kanë 12 muaj kohë për ta përmbushur atë. Për shembull, niveli i shtesës kundërciklike i miratuar në 30 shtator 2021 duhet të përmbushet nga bankat duke filluar nga data 30 shtator 2022.

Që nga miratimi i rregullores për shtesta makroprudenciale të kapitalit, në mesin e vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka ruajtur nivelin zero për shtesën kundërciklike. Si rregull, shtesa kundërciklike e kapitalit mund të ketë vlera nga 0% deri në 2.5% të ekspozimeve të peshuara me rrezik të bankës, por mund të jetë edhe më e lartë në rastet kur rreziqet të cilat lidhen me rritjen e tepërt të kredisë, vlerësohen si shumë të larta. Shtesa kundërciklike e kapitalit është një nga shtyllat e shtesave makroprudenciale, të parashikuara nga rregullorja e posaçme e miratuar më datë 5 qershor 2019. Shtesa kundërciklike e kapitalit është një instrument i politikës makroprudenciale, që adreson rrezikun sistemik të lidhur me huadhënien e tepërt.

Kur Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar po rrit huadhënien me ritme tepër të larta, atëherë kërkon një shtesë kapitali kundërciklike, me qëllim frenimin e ritmeve të kreditimit. Ajo është një nga shtesat makroprudenciale të kapitalit, ku të tjerat janë shtesa konservuese e kapitalit, shtesa e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike dhe shtesa e kapitalit për rrezikun sistemik strukturor. Deri tani, banka e Shqipërisë ka nisur të aplikojë shtesën konservuese (0.5% në vit) dhe atë sistemike (0.5-1%), në nivele të ndryshme për bankat me rëndësi sistemike.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me rritjen ekonomike, duke e shtuar eventualisht rreziqet sistemike.

Vlerësimi i fundit zyrtar i Bankës së Shqipërisë për këtë tregues i takon vitit të kaluar dhe hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -6.3 pikë përqindje. Ndonëse ngelet negativ, ky hendek u ngushtua për dytin vit radhazi. Një vit më parë, ky hendek kishte qenë negativ në masën -10.4%. Zbutja e vlerës negative të treguesit ka ardhur paralelisht nga rënia e prodhimit të brendshëm bruto gjatë vitit 2020, por edhe nga ritmet e mira të kreditimit të ekonomisë.

Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit. Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje.

Për shembull, në periudhën 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje. Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 deri në mesin e vitit 2020, hendeku kishte qenë negativ me 7.3 pikë përqindje. Në tremujorët e fundit, vlerat negative po ngushtohen, por janë ende larg ringritjes në territor pozitiv./Monitor.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme