Banka Botërore nis në Shqipëri programin për urat e qëndrueshme

18:50 | 17 Nëntor 2024
E.G

Në Shqipëri nisën punimet në kuadër të një projekti që mbështetet nga Banka Botërore për ndërhyrjet për urat e qëndrueshme. Ura e Viroit në Gjirokastër është e para që ka nisur të ndërtohet, ndërsa pritet të ndërhyhet edhe në rreth 30 ura të tjera të rëndësishme të vendit. Banka Botërore ka dhënë një hua prej 100 milionë dollarë për ndërhyrjet që pritet të rrisin sigurinë e urave në shtatë vitet e ardhshme.

Në zonën e parkut natyror të Viroit në Gjirokastër kanë nisur punimet për ndërtimin e një ure të re paralel me një urë egzistuese që përmbytej gjatë dimrit dhe sillte probleme për këtë segment të rëndësishëm rrugor.

Projekti është pjesë e një programi për qëndrueshmërinë e urave në Shqipëri, të ndërmarrë nga qeveria shqiptare me një hua të Bankës Botërore, në vlerën e rreth 100 milionë dollarëve, i cili pritet të zgjasë shtatë vite.

“Projekti i zbatimit është i rëndësishëm pasi krijon një urë të re me standarde ndërsa ura ekzistuese do të shërbejë si shëtitore panoramike përreth liqenit”, thotë inxhinieri Aristotel Noni në Autoritetin Rajonal Rrugor.

“Objektivat kryesore që zgjidh ky projekt janë: Së pari zgjidh problemin gjeometrik të rrugës, pasi kemi të bëjmë aktualisht me një rrugë shumë të ngushtë me parametra shumë të disfavorshëm gjeometrikë. Do ndërtohet një rrugë e re, bashkëkohore me parametra të kënaqshëm gjeometrikë. Së dyti zgjidh problemin e përmbytjeve pasi në këtë zonë prej shumë vitesh ka pasur probleme shumë të mëdha deri në bllokimin e segmentit kombetar rrugor gjatë shirave intensive. Së treti zgjidh problemin e kalimit të këmbësorëve. Zona, duke qenë Monument Natyre ka vizitueshmëri të lartë dhe me ndërtimin e urës së re ura e vjetër do të përdoret për këmbësorët që i vijnë rreth e qark lehtësisht liqenit pas përfundimit të këtij projekti”, tregon ai.

Sipas Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri nga programi do të ndërhyhet në 30 urat e para që kanë nevoja të menjëhershme, ndërkohë që rreth 800 mijë banorë kanë një përfitim të drejtpërdrejtë.

Urat ku pritet të ndërhyhet sipas vlerësimit të Bankës Botërore kërkojnë rehabilitime të mëdha, përmirësime apo rindërtim nga e para.

Inxhineri Noni thotë se disa ura në Qarkun e Gjirokastërs kanë nevoja për ndërhyrje ndërsa në kuadër të këtij programi në këtë qark është përfituese edhe një urë tjetër në zonën e Dragotit.

“Problematika dhe amortizim ka në disa ura, kryesisht disa ura metalike që ndodhen në Qarkun tonë si Ura e Dragotti dhe Ura e Leklit. Nga ana jonë janë bërë kërkesa vazhdimisht për rehabilitmin e këtyre urave ose për devijimin e rrugës nëpërmjet aksit të ri Tepelenë- Dragot.”

Qeveria shqiptare e ndërmori programin e urave të qëndrueshme pas tërmetit të vitit 2019 duke vlerësuar se 80 ura të rëndësishme në vend kishin përparësi për ndërhyrje pasi kishin një ritëm të trafikut nga 100 deri në 2500 mjete në ditë dhe probleme të mëdha me amortizimine tyre.

Gjendja e shumë prej urave të vlerësuara nga ekspertët “dëshmonte për dobësi dhe rrezik për shkak të kushteve të tyre të përkeqësuar strukturore apo në zona të prekura nga fatkeqësitë natyrore apo ndryshimet klimatike”.

Por ndërsa për urat e rëndësishme rrugore po nis zbatimi i ndërhyrjeve, ekspertët e trashëgimisë kulturore vlerësojnë se dhjetëra ura monument kulture rrezikohen në zona të ndryshme të Shqipërisë nga dëmtimet që kanë pësuar në vite dhe mungesa e mirëmbajtjes.

Urat u shërbejnë komuniteteve të vogla të banorëve por edhe turizmit kulturor dhe natyror thotë Geri Emiri që drejton Qendrën “Amfora”, e cila ka ndërmarrë një nismë për mbrojtjen e këtyre urave.

“Ne shikojmë që në të gjithë territorin e Shqipërisë ka problematika të ndryshme me urat që janë Monument Kulture. Përgjatë dimrit ato pësojnë dëme të ndryshme dhe autoritetet e kulturës duket qartësisht që përgatisin projektet por mungojnë më pas ndërhyrjet restauruese”, tregon ai.

Zoti Emiri thotë më tej se duhet një ndërgjegjësim më i madh për mbrojtjen e urave monumentale, si një pasuri e rrallë e Shqipërisë.

“Dëmtimi dhe shkatërrimi i disa prej këtyre urave që janë dhe Monumente Kulture ka ndërprerë në vetvete edhe komunikimin e banorëve të këtyre zonave. Është kjo një arsye më shumë që ata t`i braktisin fshatrat dhe rrjedhimisht që përvec Monumenteve të Kulturës shikojmë një braktisje totale, si dhe humbje të një pjese të trashëgimisë sonë historike.”

Krahas autoritetit rrugor dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore edhe qeveritë vendore kanë përgjegjësitë e tyre në mirëmbajtjen e urave, sidomos atyre rurale , por shumë prej bashkive thonë se kanë pamundësi financiare për të mbuluar financiarisht ndërhyrjet./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme