Banda e trafikantëve mbajnë “peng” shqiptarin në fermën e kanabisit në Britani

23:30 | 26 Maj 2023
K.B

Një bandë trafikantësh droge në Angli e mbanin nën kontroll përmes internetit shtetasin shqiptar Flamur Dedja pasi e detyronin të kujdesej për fermën e kanabisit në Ashton Terrace në Harehills.

Ai shkoi në Mbretërinë e Bashkuar në anën e pasme të një kamioni në fillim të këtij viti me kosto 10,000 £, para që më pas u kishte borxh trafikantëve, shkruajnë mediat britanike.

Pas mbërritjes në Britaninë e Madhe ai nisi punë fillimisht ilegalisht si piktor dhe dekorues në Leicester, por iu tha se nuk po e kthente borxhin mjaftueshëm shpejt dhe u detyrua të bëhej “kopshtar” në fermën e drogës në Leeds, duke u kujdesur për bimët narkotike.

Prokurorja Jemima Stephenson tha se pas një njoftimi, policia bastisi pronën më 5 prill, duke gjetur Flamur Dedjan brenda. Ata gjetën 71 bimë në tre dhoma me një vlerë totale deri në 39,000 £.

Oficerët gjetën ushqimin bazë në shtëpi dhe një kamerë në dritaren e përparme. Gjatë intervistës së tij në polici, 31-vjeçari Dedja tha se lejohej të largohej nga prona çdo dy javë për të blerë ushqime dhe i jepeshin 100 £ çdo tre muaj.

Ai tha se banda i hoqi pasaportën, flisnin me të përmes kamerave të internetit në pronë dhe e kërcënonin se do të dëmtonin familjen e tij në Shqipëri nëse nuk do të bashkëpunonte. Ai pranoi akuzën e prodhimit të kanabisit dhe u vendos në paraburgim./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme