Google ADS

Balluku në bypass-in e Vlorës: Asnjë tolerancë për abuzuesit e hapësirave publike përgjatë akseve rrugore

19:03 | 22 Korrik 2024
E.H

Në bypass-in e Vlorës, përmes ndërhyrjes së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, është bërë e mundur largimi i të gjitha subjekteve të cilat në mënyrë abuzive kishin zaptuar hapësirat publike duke i shfrytëzuar ato për ushtrimin e aktiviteteve tregtare.

Këto ndërhyrje të paligjshme kishin dëmtuar edhe sigurinë rrugore, duke krijuar kështu rrezik për të gjithë përdoruesit e këtij aksi rrugor.

Pas largimit të tyre përmes IKMT-së, do të nisë një fazë e re për kthimin e disa prej këtyre pikave në vendpushime për të gjithë qytetarët, por edhe vizitorët e huaj, të cilët do të mund të shijojnë panoramën që ofron zona.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku ishte në terren, në një prej pikave tashmë të çliruara falë ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT-së, së bashku me drejtorin e FSHZH, Dritan Agolli dhe kreun e IKMT, Ervin Hoxha.

Balluku tha se do të nisë menjëherë puna për projektimin e këtyre pikave, për të qenë gati në sezonin e ardhshëm turistik, duke shërbyer si një mjedis pushimi për të gjithë qytetarët.

“Ajo çka duhet të bëjmë është që duhet të nisim menjëherë projektimin e saktë dhe ashtu siç kemi bërë me platformën në Llogara për ka kthyer në një platformë me kushte dhe parametra sigurie, çka është më e rëndësishme. Këtu duhet të marrim të gjitha masat për kushtet e sigurisë gjatë projektimit dhe më pas për ndërtimin e tyre për ti pasur në sezonin tjetër”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që abuzon, duke njoftuar se do të ketë ndëshkime administrative në rast se do të konstatohen shkelje të ngjashme, jo vetëm në bypassi-in e Vlorës, por në çdo aks tjetër rrugor, pasi këto ndërhyrje rrezikojnë përdoruesit e rrugës.

“Periudha e këshillimit përfundon këtu dhe tashmë do fillojnë të merren masa të mirëfillta, qoftë kjo me gjoba dhe akte të tjera administrative, pasi duhen respektuar të gjitha palët dhe jemi duke folur jo thjesht për respektin e pronës shtet, por po flasim edhe për sigurinë”, paralajmëroi Balluku./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme