Google ADS

Balluku: Diskutimet për ndërtimin e bazës së NATO-s në Porto Romano, në fazë të avancuar

12:09 | 8 Nëntor 2024
E.K

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se diskutimet për ndërtimin e një baze të NATO-s në Porto Romano janë në një fazë të avancuar.

Gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore dhe energjetike për vitin 2025, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Balluku u shpreh linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë.

“Sa i takon korridorit të VIII, një projekt i rëndësishëm është rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë. Korridori i VIII është një korridor, jo vetëm transporti, por edhe energjetik dhe korridor sigurie. Ne jemi ulur në tryezë me drejtues të NATO-s për të shprehur dëshirën tonë për të pasur në të ardhmen në zonën e Porto Romanos jo vetëm një port komercial, por edhe një bazë të NATO-s. Jemi të avancuar në këtë proces, ndaj linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë“, deklaroi Balluku.

Kjo linjë do të bashkërendohet me 4 vendet e tjera, që janë krijuese të Korridorit VIII, Itali, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Bullgari.

Sipas Ballukut, aksesi nga Deti Mesdhe në Detin e Zi është synimi kryesor i këtij korridori që ndikon ndjeshëm në komponentët që lidhen me transportin, ekonominë dhe sigurinë për kryeqytete si Shkupi, Sofja, Beogradi, Zagrebi, Lubjana e Budapesti duke i dhënë një zhvillim.

Zv/kryeministrja tha se ashtu si korridoret e transportit rrugor edhe ato hekurudhore janë pjesë e korridoreve europiane, që bëjnë të mundur futjen e Shqipërinë në një rrjet që i shërbejnë transportit detar.

Nga ana tjetër zv/kryeministrja foli dhe për linjën Vorë-Hani i Hotit, e cila tha ajo, kushton 367 milionë euro, nga të cilat 153 milion euro përfitohen në formë ganti nga BE dhe 214 milionë euro në formë kredie nga BEI dhe BERZH.

“Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, segment me gjatësi 120 km pritet të jetë gati në vitin 2029. Do të rehabilitohen 12 stacione hekurudhore si dhe do të investohet në modernizimin e godinave përkatëse”, deklaroi Balluku.

Po ashtu, zv/kryeministrja bëri të ditur se ka përfunduar studimi për lidhjen me Prishtinën përmes Shkodrës.

“Kemi pasur tri oferta teknike që kanë dhënë mundësinë e ndërtimit nga tre pikëdalje të ndryshme. Është ofruar edhe Rruga e Kombit, por është vendosur për pikëlidhjet Shkodër dhe Gjakovë, jo Kukësi dhe Prizreni duke qenë se kemi një autostradë të rëndësishme në këtë zonë“, tha ajo.

Balluku informoi se Porti Ndërkombëtar i Vlorës do të lidhet me qendrën e qytetit përmes një segmenti hekurudhor që do të lidhet më tej me linjën Fier-Rrogozhinë.

Zëvendëskryeministrja u shpreh se hekurudhat e reja që po ndërtohen në vend do të operojnë me elektricitet, duke qenë në përafrim të plotë të kërkesave të BE-së për transportin me zero emetim.

“Duke qenë se kërkojmë përafrim të plotë të kërkesave të BE-së për transportin me zero emetim, e gjitha kjo kërkon një flotë të re të transportit hekurudhor, kërkon një investim i cili do të mbulohet nga kreditë e bankave europiane. Kosto e përafërt e projektit të elektrifikimit është vlerësuar rreth 21 milion euro. E gjitha kjo bëhet edhe për faktin se hekurudha shqiptare do të lidhet në kufijtë dalës me hekurudha të tjera duke u dhënë mundësinë për transport direkt nga Porto Romano në drejtim të Maqedonisë së Veriut, Kosovës apo Malit të Zi”, deklaroi Balluku./atsh

Të ngjashme