Google ADS

Balla: Punonjësit e policisë, vetëdeklarim nëse kanë përdorur telefona të koduar

22:34 | 23 Nëntor 2023
E.G

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla thotë se 10% e komunikimeve në telefonat e koduar, si Sky ECC dhe Encro Chat, janë në gjuhën shqipe.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Balla sqaroi se si u “zbërthyen” këto aplikacione që edhe në Shqipëri kanë zbardhur shumë ngjarje kriminale.

“Duhet të sqarojmë që meriton një falenderim Prokuroria Speciale për punën që ka bërë. Është një punë voluminoze. Kam dëgjuar shpesh që diskutohet për këto dy aplikacione. Meritën në fakt e ka policia franceze. Në atë moment filloi të ngrihej ky shqetësim dhe u krijua një strukturë e posaçme mes policisë franceze, policisë holandeze dhe më pas belge që së bashku filluan ta hetonin. Pastaj u përfshi Europol dhe Eurojust. Aty ka një përqindje të caktuar të komunikimeve në gjuhën shqipe. 10% e komunikimeve janë në gjuhën shqipe. Ajo që është e rëndësishme dhe sfida që kemi përballë, është pjesa që lidhet që gjithë komunikimet aty të bëhen pjesë e hetimeve të tjera. Aty ka shumë indicie të rëndësishme. Po të shikoni komunikohet që janë aty te rasti dosjes në fjalë, këto duhen përputhur me ngjarje të tjera. Mendoj që jemi në rrugën e mbarë për të shkuar në një pastrim radikal të botës kriminale në Shqipëri”.

Shumë oficerë të policisë shqiptare kanë rezultuar të përfshirë në ngjarje kriminale, pasi janë zbuluar se kanë komunikuar në aplikacionin Sky ECC dhe të tjera të ngjashme. Lidhur me këtë çështje, Balla deklaron se të gjithë punonjësit e policisë shqiptare do duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë nëse kanë pasur një pajisje të tillë.

“Prej ditës së hënë me marrjen e detyrës nga drejtuesi i ri i AMP-së, një prej formularëve të pastërtisë së figurës që duhet të plotësojnë të gjithë punonjësit e policisë ku deklarojnë nëse kanë pasur thjesht dhe vetëm akses ose kanë zotëruar një telefon të tillë. Nuk besoj që një punonjësi policie i duhej të kishte një qasje ose të zotëronte… Ky ka qenë një diskutim që më është dashur të konsultohem me drejtuesit më të lartë të Interpolit, sepse kjo ka marrë vëmendje të madhe, dhe ju jap të drejtë juve mediave, sepse unë mendoj njëlloj si ju, nuk e gjej dot arsyen përse një punonjës policie duhet ta ketë një pajisje të tillë”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Të ngjashme