Balla prezanton 51 kandidatët për këshilltarë të PS-së në Elbasan

11:38 | 17 Maj 2019
Arbresh.info

Edhe nga qyteti i Elbasanit teksa prezantoi 51 kandidatët për këshilltarë të PS-së, Taulant Balla, deklaroi sërish se zgjedhjet e 30 Qershorit do të mbahen.

“Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi”.

Balla, tha se përzgjedhja e kandidaturave për Këshillin Bashkiak të Elbasanit është bërë në respekt të plotë të barazisë gjinore, po ashtu njësitë administrative do të kenë përfaqësuesit e tyre në kuvendin vendor, lagjet e qytetit, apo komunitetet e ndryshme po ashtu.

“Në këtë listë janë përfshirë personalitete nga fusha të ndryshme nga arsimi, shëndetësia e shkenca të cilët gëzojnë respektin maksimal të komunitetit elbasanas.

Garantova kandidatët e rinj për këshilltarë për zhvillimin normal të procesit zgjedhor të 30 Qershorit, ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi respektimit të parashikimeve të Kodit Zgjedhor përsa i përket zhvillimit të fushatës.
Fushata do të zhvillohet vetëm në 30 ditët e parashikuara nga kodi dhe për ne si Parti Socialiste, zhvillimi i një fushte në respektim të të gjitha kushtëzimeve që vendos Kodi Zgjedhor, standardi sipas rekomandimeve të ODIHR, është mjaft e rëndësishme”.

Kreu i Grupit Parlamentat të PS, deklaroi se Shqipëria ka shumë gjasa të të marrë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave.

“Derisa në fund të Majit, ne jemi shumë të vetëdijshëm se Shqipëria pret një vendim shumë të rëndësishëm siç është fillimi i bisedimeve për anëtarësim, rekomandimi i Komisionit Europian, i cili me të gjitha gjasat dhe konfirmimet do të jetë një rekomandim pozitiv.

Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ja dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur”./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme