Balla në kongresin e PES

14:57 | 23 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka marrë pjesë në Kongresin Elektoral të Partisë Socialiste Europiane, në të cilën socialistët shqiptarë janë anëtarë.

Përmes një postimi në Facebook, Balla thotë se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë atje edhe për situatën politike në Shqipëri.

Balla shprehet se qëndrimi i tyre është i qartë se asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane. Sipas Ballës, ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo me dhunë.

Postimi i plotë i Ballës:

Kongresi Elektoral i Partisë Socialiste Europiane, në cilën ne socialistët shqiptarë jemi anëtarë, i dha sot mbështetjen kandidatit të përbashkët për President të Komisionit Europian Frans Timmermans.

Aktualisht Zëvendës President i Komisionit Frans Timmermans, por edhe në detyrën e mëparshme si Ministër i Jashtëm i Hollandës, mbetet një europeist i paepur, por dhe një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Gjatë punimeve të Kongresit ku merrnin pjesë kryeministra dhe liderë të socialdemokracisë europiane, zhvillova biseda me Presidentin e PES Sergei Stanishev, Presidentin e Grupit Socialist dhe Demokrat ne Parlamentin Europian Udo Bullmann dhe sigurisht me Zëvendës Presidentin e Komisionit Europian Frans Timmermans.

Qëndrimi është shumë i qartë:

“Për progresistët europianë ngjarjet e një jave më parë në Tiranë, përdorimi i dhunës kundër institucioneve të shtetit, e nxitur haptazi dhe me forcë nga lidershipi i opozitës, si një metodë për marrjen e pushtetit dhe një përpjekje për delegjitimizimin e proceseve demokratike në Shqipëri është diçka e papranueshme dhe e patolerueshme. Ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve, e jo përmes kërcënimeve, bojkotit apo dorëheqjeve nga mandatet, e kurrësesi përmes përdorimit të çfarëdo forme të dhunës.

Në Shqipëri kjo krizë artificiale politike e inicijuar nga dy parti të opozitës nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është themelore për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë”.

https://www.facebook.com/b.taulant/posts/2113608578684732

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme