Balla me përfaqësuesit e Shërbimit Zjarrfikës në Fier: Zjarrvënia është një krim

18:27 | 22 Qershor 2024
E.K

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me ekipet e Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit në qarkun Fier, ku morën pjesë përfaqësues të 6 bashkive.

Balla gjatë fjalës së tij në takim kërkoi gatishmëri dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo vatër zjarri.

Ai kishte një apel dhe kujtesë publike për qytetarët, se zjarrvënia është një krim i cili dënohet ashpër nga Kodi Penal.

“Standardin e vendosur vitin e kaluar, numrin rekord të personave të proceduar penalisht ta ngremë në një nivel tjetër. Kushdo që s’ka venë mend dhe tenton me dashje a pa dashje të ndezë një shkrepse për t’i vënë zjarrin disa mbetjeve bimore, pa shkuar tek ata që e bëjnë me qëllim, duhet t’u japim një mesazh shumë të qartë që Kodi Penal parashikon dënime shumë të ashpra”, tha ministri Balla.

E këtu, ministri tha se Policia duhet të zbulojë çdo fajtor për çdo rast.

“Do të bëjmë gjithçka për të transformuar infrastrukturën, mjetet, pajisjet, veshjet e punonjësve të MZSH-së. Kemi filluar një proces ristrukturimi, trajnimi. Ua kam thënë kryetarëve të bashkive, e po e përsëris edhe këtu në Fier se shërbimi zjarrfikës është jetik, e koha kur me MZSh bëheshin qoka e kur të Shërbimin Zjarrfikës punësoheshin ata që nuk donin të shkonin në punë tjetër ka mbaruar”, theksoi Ministri.

Më tej Balla, përsëriti lutjen drejtuar qytetarëve për të dhënë kontributin e tyre, duke ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në fazat e para, përmes Shërbimit Vullnetar Zjarrfikës.

Autoritetet kërkuan ndihmë për t’u informuar menjëherë për çdo vatër zjarri, e si rezultat ndërhyrë në kohë./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme