Gjatë vizitës në Romë, ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla takoi drejtuesin e Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Kundër Terrorizmit, Giovanni Melillo për të nisur një fazë të re bashkëpunimi mes Policisë Shqiptare dhe Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Kundër Terrorizmit.
Palët kanë rënë dakord për detajimin e një memorandumi për evidentimin e grupeve kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
“Na duhet të identifikojmë rrjete kriminale, ku janë të përfshirë shtetas shqiptarë të trafikut ndërkombëtar të drogës kryesisht nga Amerika Latine drejtë Europës, por dhe mënyrën sesi përfshihen grupet kriminale shqiptare në rrjetet e trafikut të narkotikëve në Europë, me parimin e ndjekjes së parasë për të kuptuar sesi parat e përfituara nga trafiqet investohen tashmë edhe në vende të tjera”, tha ministri për mediat pas takimit.
Ai iu referua eksperiencës së mirë të Prokurorisë Kombëtare Antimafia, e cila sipas Ballës, do t’i shërbejë palës shqiptare sa i përket negocimit të një marrëveshje ekstradimesh me Emiratet e Bashkuara, për ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
“Memorandumi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona synon pikërisht krijimin e një harte, do ta quaja unë, të aktiviteteve të grupeve kriminale me qëllim goditjen e tyre dhe në këtë aspekt nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes një element tjetër, pra kjo është një prokurori kombëtare edhe sa i përket antiterrorizmit ku i ka kaluar edhe përgjegjësia e luftës kundër krimeve kibernetike”, nënvizoi ministri.
Prokuroria Kombëtare Antimafia do të ketë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Policinë Shqiptare.
“Objektivi im themelor mbetet, rritja e besimit të partnerëve tek policia shqiptare. Kështu që do ta shfrytëzojmë këtë bashkëpunim, duke e detajuar atë në ditët në vijim në aspekte të veçanta. Besoj sikurse e ndoqët, në takim kishte edhe prokurorë nga distriktet e ndryshme italiane, ku na duhet të ulemi me secilin prej tyre për të vijuar këtë luftë të përbashkët, ku fokusi kryesor mbetet lufta kundër rrjeteve të trafikimit të lëndëve narkotike”, u shpreh ai.
Pjesë e diskutimit të dy zyrtarëve të lartë ishte ajo që lidhet me të ardhurat e krijuara nga aktivitetet kriminale.
“Kemi diskutuar në mënyrë të detajuar për eksperiencën tepër të rëndësishme që ka Italia, në mënyrën e administrimit të pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara, kryesisht nga mafia, por edhe nga aktivitete të tjera të paligjshme. Kështu që mendoj, sikurse Italia ka bërë në këtë drejtim, edhe Shqipëria nuk ka se pse të shpikë një model të vetin. Por gjëja e parë është, asnjë prej këtyre pasurive nuk mund të shitet apo të nxirret në privatizim sepse rreziku është gjithmonë eminent që këto prona të rikthehen te ish-poseduesit e tyre”, nënvizoi Balla.
/rtsh.al/
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin