Balla: Basha zhduku videon e masakrës/ “Prova që do faktonte se krimet në Kosovë i bënë serbët”

15:37 | 11 Nëntor 2020
Arbresh.info

Një ditë më parë numri dy i partisë socialiste Taulant Balla lajmëroi nismën për ndërtimin e një komisioni të posaçëm të kuvendit për hetimet që janë kryer ndaj UCK

Ky komision do marrë në shqyrtim edhe faktin që pjesë e institucioneve që bënë hetimin ishte edhe kryetari I PD lulzim Basha.

“I vetmi pozicion si ekspert që ka pasur Lulzim Basha është ekspert, apo hetues kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe i bëj thirrje të japë përgjigje si ekspert për këtë çështje. Nëse ka dëshirë mund të vihet në dispozicion, si i penduar nëse do, për këtë çështje.Jemi duke hartuar një dokument që bazohet në nenin 77, pika 1 e Kushtetutës, për ngritjen e komisioneve të posaçme. Pra, nuk bëhet fjalë për komision hetimor, por për një komision të posaçëm, me një objekt pune shumë specifik që ndoshta duhet të ishte bërë shumë kohë më parë, po të kemi parasysh një akt aspak patriotik nga ana e mazhorancës së asaj kohe’”, tha ai.

Ai thotë se në fund të punës së komisionit do ketë një raport por edhe një rezolutë. Numri dy i socialistëve aludon se Basha ka zhdukur një provë filmike të masakrave serbe në Kosovë.

“Sot kam bërë publike edhe deklaratat e një dëshmitari të një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, siç është ajo e Krushës, që personi që dispononte materialet filmike që dokumentonin masakrën, ja ka dorëzuar kasetën një shqiptari që punonte në administratën e UNMIK-ut me emrin Lulzim Basha. Basha, meqenëse brenda një dite, flet për shumë çështje, sot duhet të sqarojë ku e ka kasetën. Kjo kasetë është një e rëndësishme që faktojnë se në Kosovë nuk ka pasur krime të shqiptarëve kundër serbëve, por ka pasur vetëm genocid serb kundër shqiptarëve. 10 mijë jetë shqiptarësh të humbura, 20 mijë gra e vajza të përdhunuara dhe 1 milion shqiptarë të shpërngulur nga pronat e tyre”, tha ai./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme