Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përcolli sot një mesazh me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit të Kosovës, Adem Jashari.
Ruçi u shpreh në mesazhin e tij se ditëlindja e Bacës dhe ditëlindja e Shqipërisë së Pavarur janë një përkim dhe simbolikë e fuqishme. Ai kujton betejën heroike të Jasharajve që humbën 55 pjesëtarë dhe të mbijetuarën e vetme, Besartën, duke i kujtuar se nuk është vetëm dhe se me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën.
“Adem Jashari, Heroi i Kosovës, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot do të ishte 65 vjeç. Por prej 22 vjetësh, nga 7 marsi i vitit 1998, ai, familja, miqtë e të afërmit, Kosova, Shqipëria, të gjithë ne, e kremtojmë ditëlindjen e Adem Jasharit pa Adem Jasharin. Dhe pa pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari, pesëdhjetë e pesë prej të cilëve u vranë bashkë me të, pas një beteje treditore me mijëra forca, tanke e automjete të armatosura të policisë serbe, në ngjarjen që ka hyrë në histori si masakra e Prekazit. Jo vetëm ne, bashkëkombasit e Ademit, por të gjithë njerëzit e drejtë e të ndershëm anembanë globit, në ndeshjen midis tankeve e dhunës policore dhe njerëzve që luftojnë për liri, janë me njerëzit, me luftëtarët.
Nga trashëgimtarët e Adem Jasharit ka mbetur vetëm Besarta, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së tij, dhe që në atë ditë të masakrës ishte vetëm 11 vjeç. Më dhemb dhimbja e Besartës, që nuk uron dot Bacën në këtë përvjetor. Më ther plaga e saj, e pashëruar dhe e pashërueshme, që në këtë përvjetor, në ata që kaluan dhe në ata që do të vijnë, do të jetë pa motrat, vëllezërit, prindërit, pa familjarët e saj të dashur. Por Besartës i them se nuk është vetëm. Me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën. Masakra e Prekazit ishte jo vetëm rënia e Adem Jasharit dhe familjes së tij, por një thirrje për burrat dhe gratë e Kosovës, për t’u bashkuar dhe për t’i shkuar deri në fund misionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, ku të gjithë qytetarët e saj të jetojnë të lirë e të barabartë”, shkruan Ruçi.
Kreu i Kuvendit thekson më tej se kjo ngjarje filloi t’i dëshmojë komunitetit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit kosovar, të udhëhequr nga Ushtria e tij Çlirimtare.
“Ditëlindja e Adem Jasharit përkon me ditëlindjen e Shqipërisë së Pavarur. Natyrisht, kjo është një rastësi kohore. Por ky përkim, që bashkon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me ditëlindjen e heroit që ra për Kosovën e lirë e të pavarur, bëhet një simbolikë e fuqishme. “Bac u kry”, ishte shprehja që, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 7 shkurt 2008, sintetizoi mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve për veprën e nisur nga Adem Jashari dhe të përmbushur nga Ushtria Çlirimtare, populli dhe institucionet e Kosovës. Ditëlindja e Adem Jasharit është një moment reflektimi, për të vlerësuar e respektuar veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, të arritur me mbështetjen e në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Në 65-vjetorin e tij të lindjes është dita të kujtojmë se Adem Jashari dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë, drejtësi të cilën e ka vërtetuar koha. Sot është dita të kujtojmë se populli, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Sot është dita të besojmë se asgjë nuk mund ta errësojë luftën për liri, barazi, drejtësi e dinjitet të Adem Jasharit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit kosovar”, shkroi në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi/tch
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...