Austria dhe Holanda heqin ndalimin e udhëtimeve për shtetasit e Shqipërisë

09:29 | 24 Qershor 2021
M. A.

Nga sot shtetasit e Shqipërisë mund tё udhёtojnё drejt Austrisё pёr çfarëdo arsye, pёrfshirё edhe turizёm.

Lajmin e ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropës në një status në rrjetet sociale, sipas së cilës shqiptarët duhet të jenë të pajisur me testin PCR të 72 orëve të fundit ose antigen të 48 orëve të fundit dhe certifikatë vaksinimi.

“Pёrpara udhёtimit duhet tё jenё tё pajisur me Test (PCR-Test) të 72 orëve të fundit ose Antigen-Test negativ SARS-CoV-21 të 48 orëve të fundit, çertifikatё vaksinimi ose çertifikatё shёrimi të lëshuar nga institucione të autorizuara”.

Sipas ministrisë, pёr shtetasit shqiptarё nuk është i nevojshëm plotësimi i formularit “Pre Travel Clearance”.

Pasi Shqipëria hyri në listën e vendeve të sigurta për numrin e ulët të infektimeve nga koronavirusi, shtete të ndryshme kanë nisur të “hapin dyert” për qytetarët shqiptarë për të gjitha llojet e udhëtimeve, qofshin ato edhe turistike.

Kështu dje ambasada shqiptare në Hagë njofton se nga dita e nesërme 24 qershor, qytetarët nga Shqipëria do të mund të udhëtojnë lirisht në Holandë pa pasur nevojë për një test apo karantinim.

“Që prej ditës së nesërme, do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë, jo vetëm për rezidentët shqiptarë në BE, apo për arsye specifike. Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Holandës edhe për qëllime turistike;

Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme