Google ADS

Atentatet në Shkodër, qytetarët ndihen të keqardhur dhe të pasigurt

16:57 | 17 Qershor 2022
L G

Ngjarjet kriminale që kanë tronditur Shkodrën në mënyrë periodike thuajse çdo javë përgjatë muajve të fundit, kanë krijuar një klimë jo të mirë në këtë qytet.

Që nga data 6 janar, Shkodra numëron të paktën 18 ngjarje kriminale të paramenduara dhe të mirëorganizuara, si atentate ndaj personit, me viktima dhe të plagosur, apo shkatërrim prone nëpërmjet zjarrit dhe lëndëve plasëse si dhe grabitje banesash dhe bankash.

Gjysma e këtyre ngjarjeve janë regjistruar katër javët e fundit, nga data 10 maj e në vazhdim. Ndërsa zbulueshmeria e tyre është mjaft e ulët në krahasim me numrin e ngjarjeve.

Kjo situatë nuk ka kaluar pa ndikuar edhe te qytetarët shkodranë… ku disave u vjen keq për atë që po ndodh ndërsa të tjerë ndihen edhe të pasigurt.

“Ne kemi keqardhje për ato që dëgjojmë, sidomos për shkodranët, për kushdo qoftë. Uroj që të bëhet një pajtim mes këtyre njerëzve dhe të munden të eliminojnë këto gjëra”, thotë një qytetar. “Janë bërë shumë të bezdisshëm… Se mos kanë filluar sivjet”, thotë një tjetër.

Për qytetarët, përmirësimi i situatës vjen vetëm duke zbatuar ligjin dhe dënuar si duhet autorët e këtyre krimeve. “Të zbatojnë ligjin. E bëj krimin unë, nesër më sheh në trotuar, duke shëtitur. Më dëno, më jep dënimin maksimal”, thotë një tjetër banor i Shkodrës.

Edhe pse ngjarjet kanë pasur një target të përcaktuar dhe të paramenduar, sërish nuk kanë munguar as pasojat anësore si në plagosjen e personave të pafajshëm që kanë qenë rastësisht pranë shënjestrave që janë ekzekutuar ashtu edhe me dëmtimin e mjeteve që kanë qenë pranë makinave që janë djegur apo shpërthyer me lëndë plasëse. Pasoja këto që ndikojnë në rritjen e pasigurisë publike. /A2 CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme