Atentat dhe vrasje për motive të dobëta, katër viktima në më pak se 24 orë në Shqipëri

14:07 | 18 Gusht 2022
A. B.

Katër viktima janë regjistruar në më pak se 24 orë në vend, si pasojë e një atentati dhe dy vrasjeve për motive të dobëta.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, dy persona mbetën të vdekur në Panaja të Vlorës, teska po udhëtonin me një automjet tip “Benz” dhe u qëlluan për vdekje nga një tjetër automjet në lëvizje.

Automjeti tip “BMW”, i autorëve, të cilët dyshohet se janë tre, është djegur në fshatin Frakull të Fierit, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatik.

Mbrëmjen e djeshme, një 41-vjeçar u vra në Sarandë pas një konflikti për vendin e parkimit.

Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, një 24-vjeçar i cili punonte si kamerier në lokalin ku ndodhi ngjarja, i vëllai dhe administratori i hotelit, pasi u përpoq të fshihte krimin.

Një vrasje për motive të dobëta ndodhi edhe në Elbasan po mbrëmjen e së mërkurës, ku një 20-vjeçar qëlloi për vdekje me armë nj 25-vjeçar, pas një konflikti të çastit që nisi në një lokal në afërsi të stadiumit. /Euronews Albania/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme