Artikulli i medias skoceze, Rama: Të gjithë skocezët ta shijojnë Shqipërinë në maksimum

23:25 | 15 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fton turistët skocezë që të vizitojnë Shqipërinë dhe të shijojnë bukuritë e vendit.

Kreu i qeverisë ka shpërndarë në rrjetet sociale artikullin e medias skoceze “The Herald” që i bën jehonë Shqipërisë.

“Jehona e radhës për Shqipërinë turistike vjen nga Skocia që si asnjëherë deri më tani gjiganti mediatik “The Herald” i dedikon këta rreshta me përshkrime entuziaste të intinerareve që fillojnë nga Bjeshkët e veriut, deri te Gjirokastra dhe Butrinti, me ftesën e parefuzueshme për të gjithë skocezët që ta shijojnë Shqipërinë në maksimum”, ka shkruar Rama në postimin e tij.


Revista skoceze ‘The Herald’ shkruan se plazhi i Dhërmiut u ofron vizitorëve rërë të bardhë, ujëra të pastër dhe bukuri natyrore të paprekura. Aty gjen shpella dhe limane të fshehura, dhe konsiderohet si një nga më të mirët në vend.

Jo vetëm plazhe por atraksionet turistike që ofron Berati, Gjirokastra si dhe Butrinti sugjerohen të vizitohen gjithnjë e më shumë nga ‘The Herald’.

Berati është një qytet unik, i fortifikuar që ofron një udhëtim nëpër histori me arkitekturën e tij otomane.

Alpet e Shqipërisë ofrojnë sipas The Herald një arratisje emocionuese për të apasionuarit e natyrës.

Shtigjet e saj sfiduese, ujëvarat befasuese dhe fshatrat tradicionale malore ofrojnë një përvojë autentike.

Kryeqyteti gjithashtu mbetet ndër metropolet që duhen vizituar. Piramida e Tiranës, dikur një muze kushtuar udhëheqësit afatgjatë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, tanimë e rikostruktuar po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Nëse jeni duke kërkuar për një natë të mrekullueshme në qytet ndërsa jeni në Shqipëri, blloku në Tiranë duhet të frekuentohet me patjetër. /tvklan.al

Të ngjashme