Arrin Meta në Kuvend, nis seanca

17:31 | 28 Prill 2017
Arbresh.info

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka mbërritur pak para orës 17:00 në ambientet e Parlamentit të Shqipërisë për tu bërë pjesë e seancës që do të hedhë në votim kandidaturën e tij për President të Republikës së Shqipërisë.

Seanca drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj.

Më herët në Parlament mbërriti edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë ditës së sotme drejtoi në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste mbledhjen e grupit parlamentar. Aty u vendos unanimisht kandidatura e Metës për kreun e ri të shtetit shqiptar.

Ndërkohë kujtojmë se gjatë ditës së djeshme grupi parlamentar i LSI-së, propozoi dy emra për postin e presidentin, atë të Petrit Vasilit dhe të Ilir Metës.

Kandidatura ka marrë firmat e 23 deputetëve, ku duhet theksuar se ka deputetë të PS-së, LSI-së dhe PDIU-së.

Kandidatura e Metës do të hidhet për votim në raundin e katër për zgjedhjen e presidentin, pasi tre raundet e para të cilat kërkonin shumicë të cilësuar prej 84 votash, u dogjën pasi nuk pati asnjë kandidaturë.

Sipas mazhorancës kjo u bë për t’i dhënë kohë opozitës, e cila proteston prej rreth 70 ditësh kundër qeverisë me kërkesën për një qeveri teknike. Por në kushtet kur mundësitë për dialog mes mazhorancës dhe opozitës dështuan, shumica parlamentare vendosi të mbajë këtë pasdite raundin e katërt e për të zgjedhur presidentin e ri. Kështu, shmangen zgjedhjet e parakohshme në vend.
Në raundin e katërt zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të thjeshtë votash.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme