Google ADS

Arrestohet një shqiptar në Itali, akuzohet se është trafikant i rrezikshëm droge

17:57 | 6 Qershor 2024
E.G

Pas një urdhër-arresti evropian nga ana e autoriteteve belge për një grup kriminal që trafikonte drogë dhe kryente vjedhje, Karabinierët e Njësisë së Hetimit të Ravenës, në bashkëpunim me policinë belge, gjurmuan dhe arrestuan në Faenza një 42-vjeçar me origjinë shqiptare, të lidhur me një bandë që merrej kryesisht me trafikun e drogës.

Grupit, në kuadër të operacionit të autoriteteve belge iu sekuestruan 100 kilogramë kokainë dhe Speed ​​(përzierje kafeine dhe amfetamine), si dhe 265 mijë euro cash.

Hetuesit e Evropës Veriore gjetën gjithashtu armë, uniforma të policisë holandeze, jelek antiplumb dhe substanca kimike: duke demonstruar më tej rrezikshmërinë dhe përgatitjen e bandës në fjalë.

Në total, operacioni pati 17 arrestime, 11 prej të cilave në Belgjikë dhe 6 në vende të tjera. Dy persona të tjerë të dyshuar se i përkisnin të njëjtit grup u bllokuan në Toskanë. Në veçanti, emrat e 17 të dyshuarve figurojnë në dy dosje, një nga policia federale belge dhe një nga policia lokale e Antwerp.

Sipas hetimeve, anëtarët e bandës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora. Një lloj mafie shqiptare që merret me gjithçka që lidhet me kokainën: nga importi tek prerja, tek riciklimi dhe më në fund tek trafiku i armëve. Ndër veprimet që i atribuohen bandës, ka edhe episode të dhunshme të lidhura me kriminelë të përshkruar nga prokurorët belgë si veçanërisht të rrezikshëm dhe të vendosur.

Emrat e të dyshuarve nuk janë aspak të rinj për policinë. Në vitin 2014, krerët e bandës ishin dënuar me burgim nga 10 deri në 12 vjet. Të tjerët me role të vogla kishin marrë dënime nga 3 deri në 7 vjet. Por edhe pas dënimit ata nuk u dekurajuan, përkundrazi vazhduan rrugën e tyre kriminale.

Prokuroria belge tashmë ka pasur mundësinë ta përcaktojë këtë operacion si rezultat i bashkëpunimit intensiv me Europolin dhe me forcat e huaja policore të shtrira në Gjermani, Francë, Holandë dhe Itali.

Në të njëjtën kohë prokuroria shprehu shqetësimin për këtë lloj klani shqiptar që tashmë është i aftë të degëzohet në mbarë botën. Kjo është, jo vetëm në Evropë: por edhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Domethënë, një fenomen – sipas autoriteteve belge – për t’u mbajtur në sy. /rtsh.al/

Të ngjashme