“Ish-kryebashkiaku i Durrësit, i cili qëndroi i pari i këtij qyteti nga viti 2007 deri në 2019, për 3 mandate me radhë, u arrestua nga SPAK këtë të martë me dyshimet se gjatë kësaj kohe shpërdoroi detyrën në dy raste. Bashkë me të, SPAK lëshoi urdhër arreste edhe për 9 persona të tjerë”.
Dako u ndalua në Durrës aty ku ka edhe banesën e tij dhe rreth orës 17:00 u transportua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, aty ku do të qëndrojë deri në përballjen e parë me Gjykatën e Posaçme, për verifikim të masës së sigurisë.
Pas tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u dërguan edhe ndërtuesi Fiqir Farruku dhe shtetasi Adnan Toçilla.
Deri në orët e vona të mbrëmjes, nga masat e sigurisë të lëshuara në mungesë nga gjyqtari i posaçëm Erion Bani, u ekzekutuan për 6 nga 10 personat e hetuar, 3 prej të cilëve janë mbyllur në arrest shtëpie.
Sipas SPAK, hetimi i cili zgjati mbi një vit tregoi se si Dako në bashkëpunim me dy ish-drejtorë të Urbanistikës, Adhurim Qehajaj, Adlei Likmeta, një ish-juriste Lira Kërtusha dhe ish-zyrtarë të tjerë abuzuan me detyrën në dy episode të ndryshme.
Episodi i parë lidhet me lejen e ndërtimit dhënë për këtë pallat që shihni në pamje në vitin 2011. Leje e dhënë nga Bashkia rezultoi sipas SPAK të ishte dhënë në shkelje të studimeve të kryera, për 10 kate dhe më pas, ndërtuesi është lejuar në mënyrë abuzive të ndërtojë pa leje edhe 4 kate të tjera.
Shkeljet për këtë rast u konstatuan pas tërmetit të 2019, ku pallati pësoi dëmtime të cilat janë të dukshme ende. Mbi 40 banorë iu drejtuan SPAK në vitin 2020, duke kallëzuar Dakon dhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë.
Rasti i dytë i abuzimit me detyrën, sipas SPAK lidhet me një tender për blerje projekti, konkretisht shërbim konsulence. Hetimet për këtë tender që lidhen me një shëtitore në Durrës, nisën pas kallëzimit të bërë nga deputeti Ferdinand Xheferraj.
Jo zyrtarisht, SPAK thotë se hetimet treguan se vlera e këtij tenderi është rritur duke u dhjetëfishuar në 22 milionë lekë të reja.
Dëmi i shkaktuar shtetit me shkeljet në këtë tender, janë përllogaritur nga SPAK në vlerën e 180 milionë lekëve të vjetra. Avokati i Dakos tha për mediat se ish-kryebashkiaku do përballet me drejtësinë dhe se klienti i tij është vetëdorëzuar.
Arrestimi i ish-kryebashkiakut Vangjush Dako erdhi 3 ditë pasi Prokuroria e Posaçme nis të kryente veprimet e fundit hetimore, si kontrolle banesash dhe ambiente.
Në Korrik të 2019, një muaj pasi Vangjush Dako kishte lënë zyrën e të parit të qytetit të Durrësit, pasi nuk u rikandidua për një mandate të 4 në zgjedhjet e 30 qershorit, ai u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me argumentet e përfshirjes në korrupsion madhor dhe cenim të të drejtave të njeriut./Tv Klan
Prezantohen 4 drejtorët e rinj të policisë, Hoxha: Të garant...
Qeveria mban mbledhje elektronike, merr dy vendime
Agjenda e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe...
Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet
Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përsh...
Mos e përdorni këtë fjalëkalim pasi hakerit do t’i duhet vet...