Google ADS

Arrestimi i Metës, avokati: Akuzohet për 3 vepra penale

17:10 | 21 Tetor 2024
E.G

Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta, ka folur nga ambientet e jashtme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pas takimit me ish-Presidentin, i arrestuar pak pas mesditës së sotme me urdhër të SPAK.

Gjokutaj informoi se Meta mbërriti në këtë drejtori pas një rrëmbimi banditesk siç e cilësoi ai, i bërë në rrugë, me një sjellje joligjore.

“E gjithë kjo histori ndodh me një njeri që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime për çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka pesë vjet. Këto rrethana që këto mendojnë sot për të goditur me arrest kanë pesë vjet që janë nëpër duart e prokurorëve”, tha Gjokutaj.

Sipas avokatit, ky moment i arrestimit të kreut të PL-së është tipik politik dhe pas tij fshihen dy persona.

“Momenti është politik dhe pas kësaj është dyshja Rama-Dumani, të cilët me ndihmën e mashave, ish- bashkëpunëtorëve të Ilir Metës kanë formuar një vendim që sapo e kemi marrë. Qëndrimi i tij është krejt i qartë, ai është i vendosur të përballet me procesin dhe çdo gjë që është shkruar në këtë vendim sepse ai e ka marrë më para. Ai është i gatshëm të përballet me mbrojtjen dhe gjithë rrethanat që nuk kanë lidhje me të”, shtoi avokati.

Ai cilësoi se kundërshtimi i masës së sigurisë ndaj Metës do të bëhet në rrugë ligjore dhe sipas një akti procedurial.

“Meta akuzohet për tre vepra penale, korrupsion, pastrim i produkteve dhe mosdeklarim i pasurisë. Ishte një takim si çdo herë tjetër vetëm në një ambient ndryshe. Por, mënyra se si është arrestuar është banditeske, gati është rrëmbyer në rrugë, ish-Presidenti, ish-kryeministri. Nuk kishte asnjë lloj problemi për ta thirrur si në SPAK”, u shpreh Gjokutaj.

Avokati Gjokutaj gjithashtu konfirmoi se edhe Monika Kryemadhi është nën hetim, pa dhënë shpjegime apo detaje të tjera shtesë./Atsh

LEXO EDHE:

Arrestimi i kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, reagon Monika Kryemadhi

Të ngjashme