Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të pakënaqur me demokracinë shqiptare dhe funksionimin aktual të saj.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të pakënaqur me demokracinë shqiptare dhe funksionimin aktual të saj.
Kjo është një nga gjetjet kryesore në anketimin kombëtar “Shqipëria në Kuvendim”, publikuar të premten nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Sipas anketimit, mbi 60 për qind e qytetarëve pohuan se janë pak dhe aspak të kënaqur me mënyrën se si funksionon demokracia në Shqipëri.
“Qytetarët i konsiderojnë partitë politike si institucionet më pak të besueshme në Shqipëri, ndaj ka një rëndësi të madhe forcimi i demokracisë së brendshme i partive dhe i demokracisë në tërësi, e cila vlerësohet si regjim hibrid e në tranzicion nga Organizata Freedom House” – thotë autori kryesor i studimit, Gjergj Vurmo.
Anketimi zbuloi zhgënjimin e gjerë të qytetarëve nga politika. Afro 70 për qind e qytetarëve të anketuar nuk besojnë se parlamenti bën punët e duhura.
Ata shprehën interes të lartë që të gjithë projektligjet duhen konsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit, pavarësisht nga kostot dhe kohëzgjatja e procesit.
Sipas anketimit, pjesa më e madhe, rreth 70 për qind e qytetarëve janë mesatarisht dhe pak të interesuar për politikën, dhe një pjesë nuk kanë aspak interes për të. Vetëm 13% e tyre tregojnë se janë shumë të interesuar për politikën.
Por kur vjen pyetja për pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit, grafiku është krejt i përmbysur; mbi 75 për qind, ose tre nga katër të anketuar pohojnë se votuan në zgjedhjet parlamentare më 25 prill 2021.
Mbi 60 për qind e të anketuarve përgjigjen se mbikëqyrjen e financimit të partive politike duhet ta bëjë parlamenti, KQZ-ja dhe Kontrolli i Shtetit.
“Qytetarët shprehin një besim të ulët tek sistemi i tanishëm zgjedhor dhe shumica e tyre mendojnë se ai nuk pasqyron plotësisht vullnetin e qytetarëve. Ky nivel i ulët besimi tek sistemi sjell edhe skepticizmin e madh të publikut ndaj deputetëve dhe politikanëve” – thotë Besiana Kuçi, bashkautore e studimit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se deputetët njohin pak dhe aspak shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.
Megjithatë edhe këtu ka një raport të përmbysur: më shumë se gjysma e qytetarëve pohojnë se janë të gatshëm që të takohen me deputetë dhe politikanë.
Një pjesë e vogël janë në dijeni se është miratuar një ligj për ndryshimet klimatike dhe shpreh mirëkuptim për këtë temë, ndërsa pjesa më e madhe janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së mjedisit.
Nga anketimi doli se pjesa më e madhe e qytetarëve janë të hapur për të lexuar dhe për të dëgjuar opinione të kundërta dhe këndvështrime të ndryshme ndaj çështjeve politike, por më pak se gjysma e tyre është e hapur për të ndryshuar aspekte të bindjeve personale politike.
Votimi i Diasporës është një çështje e ndjeshme, temë e anketës, pasi ka qenë burim i shumë parregullsive në zgjedhje gjatë tre dekadave të fundit. Nevojitet konsensus i gjerë politik për realizimin e këtij procesi, pohojnë autorët.
Pjesa më e madhe e të anketuarve nuk dinë nëse diaspora ka të drejtën ligjore për të votuar në zgjedhje, por shumica e qytetarëve dëshirojnë që kjo e drejtë e diasporës të bëhet realitet dhe ata ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje.
Shqipëria është vendi me një nga diasporat më të mëdha në botë. Më shumë se një e treta e shtetasve të saj jetojnë në mënyrë të përhershme jashtë vendit. Por edhe pse e kanë emrin në Regjistrin e Zgjedhësve, e vetmja mënyrë që të votojnë, është që të vijnë fizikisht në Shqipëri.
Ritmet e larta të emigrimit kanë vazhduar dhe pritet që emigrimi i shqiptarëve të vazhdojë me ritme të larta në vitet e ardhshme, megjithatë ata tregojnë mbështetje të madhe që të jepen paga më të larta për shqiptarët sesa që të importohen imigrantë të huaj./VOA
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...