Google ADS

Ankesë në BE për koncesionin Milot-Balldren, PD: Aferë korruptive

15:48 | 31 Maj 2019
Arbresh.info

Pas skandalit të Unazës së Re duket se një tjetër koncesion fsheh një aferë korruptive. Nga PD sot është denoncuar sërish koncesioni i rrugës Milot-Balldren.

“Bëhet fjalë për projektin 260 milionë euro të rrugës prej 17 kilometrash Milot-Balldren. Ndryshimi, në rastin e Milot-Balldre, është se për grabitjen e radhës nuk u shpik një kompani me dokumente të falsifikuara, por qeveria ia dha kontratën PPP, me ofertë të pakërkuar, një kompanie të vogël që, zyrtarisht,është në pronësi të një ish deputeti të Partisë Socialiste, Agim Kola”, u shpreh ish deputetja Tabaku.

Në kontratë parashikohet të paguhet 15 milionë euro për kilometër, por sipas Jorida Tabakut vlera mund të rritet.

“Në kontratë vlera shkon në 216 mln euro, bashkë me TVSH do të kushtojë 256 mln euro. Por kjo nuk është kosto përfundimtare. Në tabelën e përgatitur për pagesat për projektet PPP vlera është 295 mln Euro, edhe 40 milionë euro më shumë”, tha Tabaku.

Hije dyshimi ngrihen edhe për kompanitë fituese. Pasi është në pronësi të një operatori të vetëm, kompanisë ANK të ish deputetit socialist Agim Kola.

“Kjo skemë korruptive gjigande, që siç tregohet në tabelën e siguruar nga Partia Demokratike, qe do të ketë efekte për 15 vitet në vijim, duhet të ndalet menjëherë. Kjo kontratë, nqs kalon në parlament, do të jetë subjekt i Ligjit Antimafia, së bashku me një listë kontratash abuzive të denoncuara nga Partia Demokratike”, u shpreh Tabaku.

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes Petrit Vasili e denoncoi rastin edhe të ndërkombëtarët. Përmes një letër të hapur, Vasili i kërkoi delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dënimin e ashpër të aferës.

PROJEKTI SIPAS QEVERISË

Kjo autostradë do të ketë një gjatesi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët jo vetëm për hyrje-daljet e automjeteve dhe këmbësorëve por e mbyllur në të gjithë gjatësinë me rrjetë teli për të penguar edhe hyrjen e kafshëve.

Gjerësia e saj do të jetë nga trëkorsi ne të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.

Ky segment prej 17 kilometrash do të ketë shumë vepra arti, si urën mbi lumin Mat me një gjatesi 625 metra, urën mbi lumin Drin me gjatësi prej 225 metra. Veç dy urave të mëdha, kjo autostradë do të ketë edhe një tunel me dy porta me gjatësi nga 850 metër secili krah, në malin e Rencit që do të shërbejë si Bay-Pass i qytetit të Lezhës për ta devijuar futjen e trafikun të veriut nga kalimi përmes këtij qyteti.

Veç këtyre veprave të artit do të ketë edhe 6 mbikalime, në kryqëzimin e Fushë-Milotit, në kryqëzimin e burgut të Shënkollit, në kryqëzimin e rrugës Zejmen – Tale, në kryqëzimin e Rrilës, në kryqëzimin me rrugën e Hotelit të Gjuetisë dhe një nyje e madhe mbikalimi në rrethrrotullimin e Lezhës, pranë ish-fabrikës së letrës.

Gjithashtu në këtë projekt, meqënëse autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara, rrugë këto secila me nga dy korsi me një gjerësi prej 9 metra asfalt.

Gjerësia e korsive të autostradës do të jetë nga 3.75 metër secila duke bërë të mundur ecjen me 120 km/orë dhe përshkimin e kësaj gjatësie Milot-Balldre vetëm për 8.5 minuta nga 28 minuta që bëhet aktualisht. Ky projekt parashikon edhe gjelbërimin e autostradës si dhe ndriçimin në të gjitha nyjet./opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme