Google ADS

Analiza / Lulzim Basha, një kopjac i përpiktë i Edi Ramës

17:27 | 20 Prill 2018
Arbresh.info

Lulzim Basha nuk po lë gjë pa kopjuar nga mënyra sesi Edi Rama u soll në opozitë dhe asfiksoi çdo zë kundër në partinë e tij. Megjithëse përbetohet në çdo studio televizive se ata nuk janë njësoj, ai nuk nguron të ndjekë fiks rrugën ne rivalit të tij aktual.

Ai po e shpie PD-në drejt një kongresi statuor ku sanksionohet parimi se edhe nëse kryatari humbet zgjedhjet, ai nuk mban asnjë përgjegjësi. Madje madje ai nuk mban pikë përgjegjësie edhe nëse person një humbje katastrofale më të madhe sesa gara elektorale pararadhëse (siç i ndodhi Bashës në 2017). Ashtu sikurse njoftojnë reporterët e atashuar pranë PD, në librin e rregullave që do t’i serviret kuvendit Kombëtar të 28-29 prillit nuk do të diskutohet asnjë pasojë për kryetarin e partisë nëse ky i fundit humbet.

Pikërisht për këtë trajektorja e Bashës ngjan si dy pika uji me atë të Ramës. Edhe kryeministri aktual pasi humbi betejën elektorale të 2009 nuk pranoi të largohet. Ai zhvilloi një farsë duke shpallur rival Maqo Lakrorin (Basha zgjodhi Selamin) dhe u kujdes që në këtë biçim konkurrimi të shmangeshin të gjitha figura serioze të partisë. Pastaj, ai, me mediat dhe aparatin partiak që kishte në dispozicion filloi anatemimin e lëvizjes LMN, njësoj siç po bën sot kreu i PD me kundërshtarët si Patozi dhe Topalli. Në fund Rama bëri fiks atë që Basha po bën sot, e hoqi fare nenin e statutit sipas të cilit kryetari humbës dorëhiqet.

Të gjitha këto, si dje dhe sot, janë justifikuar me të njëjtat mjete propagande se nuk duhet dobësuar opozita, se neni statuor i largimit të kryetarit i nxit rivalët e tij të punojnë më shumë për humbjen e partisë sesa për fitoren e saj, se një opozitë ne kushtet e regjimeve alla shqiptare i duhet një lider i fortë etj.

I gjithë ky debat, duket në fakt një çështje e brendshme e PD-së. Nëse partia mbyllet dhe nëse rregullat e saj nuk i kënaqin të gjithë çmimin më të madh do ta paguajnë vetë demokratët.

Por në fakt nuk është kështu. Kjo lloj sjelljeje politike e kapërcen pragun e interest të pd-istëve. Ajo është një çështje që i takon të gjithë shoqërisë.

Së pari sepse kjo lloj mënyrë sjellje favorizon Edi Ramën. Duke projektuar një parti të mbyllur, duke u angazhuar në një formacion vassal të njëshit, Basha heq çdo shpresë për krijimin e një fronti, me garë të hapur dhe ide të lira që mund të tubonte të gjithë faktorët opozitarë. Askush nuk do të donte t’a shpenzonte betejën e vet vetëm për të grumbulluar më shumë pushtet rreth Bashës. Askush, gjithashtu, nuk do pranonte t’i jepte bonus atij duke vërshëllyer refrenin : “për inat të sime vjehrre”.

Nga ana tjetër edhe nëse e paimagjinueshmja ndodh, pra edhe nëse rrethanat e sjellin bashën në pushtet, me mënyrën si po sillet në opozitë ai nuk ofron asgjë të mirë. Ne e kemi para syve shembullin se çpo bën sot në pushtet, njeriu që u soll në opozitë njësoj si Basha sot.

Prandaj kopjimi i kësaj metode nuk është një ogur i mirë. Dhe aq më pak ai është një problem vetëm i PD-së. Me Bashën ne po shohim historinë të përsëritet në mënyrë komike./Lapsi.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme