Profesoresha amerikane Lori Amy dhe një koleg i saj shqiptar në 2 prill u arrestuan para Drejtorisë së Policisë Tiranë. Ata u mbajtën në paraburgim për 7 orë dhe siç kanë thënë më pas nuk patën mundësi të flisnin me avokat apo përkthyes.
Lory Amy jeton për momentin në Shqipëri pasi po studion efektet traumatike të krimeve të komunizmit në shoqërinë bashkëkohore shqiptare.
Amy dhe kolegu i saj janë paditur nga policia shqiptare sipas nenit 242 të Kodit Penal për “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe nenit 293 “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Policia e ka referuar rastin e tyre në prokurori.
Exit.al foli me Profesore Amy-n.
Ajo e shpjegoi përvojën e saj:
“Ne ishim duke kaluar para komisriatit të policisë në Rrugën “Sami Frashëri”, kur pamë se disa makina ishin bllokuar në rrugë për shkak të protestës. Ishte një situatë shumë e rrezikshme. Kishte makina duke u përpjekur të ktheheshin dhe njerëz të shqetësuar që po protestonin.
Ne shkuam te një oficer policie dhe i thamë të shkojë tek kryqëzimi i rrugës me Lumin Lana dhe t’u tregojë njerëzve se rruga është e bllokuar. Oficeri i policisë na tha se nuk mund ta bënte këtë sepse nuk kishte marrë asnjë urdhër. Kështu shkuam tek një tjetër polic afër kryqëzimit dhe i kërkuam të njëjtën gjë. Nuk na u përgjigj njeri. Më nisëm t’i tregonim vetë shoferëve në kryqëzim se rruga ishte bllokuar. Shoferët ishin të kënaqur që po i njoftonim.
Pastaj erdhi një grup prej tre policësh dhe ne menduam se ata do të na ndihmonin. Ata na thanë: “Faleminderit për ndihmën, por tani do ta marrim ne përsipër situatën”. Kështu, lamë kryqëzimin dhe shkuam të merrnim një kafe. Më pas vumë re, se policia ende po lejonte makinat të hynin në rrugë. U kthyem dhe pyetëm se çfarë po ndodhte. Policët thanë: “Ne kemi marrë urdhër për të mos devijuar trafikun sepse kjo lloj proteste përpara stacionit të policisë është e paligjshme”. Me fjalë të tjera, për shkak se policia e gjykonte protestën të paligjshme, ajo nuk pranoi të mbronte sigurinë e qytetarëve, si të atyre që ngisnin makinat në një rrugë të bllokuar, ashtu dhe të atyre që protestonin.
“Më pas ata na akuzuan për bllokimin e rrugës, megjithëse vetëm i kemi dhënë shoferëve informacion se rruga Sami Frashëri është bllokuar!” vazhdoi rrëfimin zonja Amy.
“Dymbëdhjetë oficerë policie na rrethuan dhe na thanë që të mos u tregonim njerëzve se rruga ishte bllokuar, veprim të cilin e refuzova. Kishte disa oficerë policie, të cilët e njihnin të kaluarën komuniste, dhe qartësisht ishin në konflikt me urdhrat e dhëna. Ata donin të mbronin sigurinë e qytetarëve, por nuk kishin marrë urdhër për ta bërë. Kjo tregon se ne kemi disa njerez të mirë në forcat e policisë, të cilët ndihen të dyzuar sepse e dinë çfarë është moralisht e drejtë, por kanë urdhra për të bërë diçka që është kundër ndërgjegjes së tyre.
Meqë unë nuk pranova të mos njoftojë shoferët se rruga është e bllokuar, policët na thanë se ne duhej të shkonim në rajonin e policisë për të “dhënë informacion”, vijon Amy.
Mësohet se në stacionin e policisë, rreth orës 15:00, Lory Amy-t iu sekuestrua laptopi dhe celulari. Atë e futën në qeli dhe nuk i dhanë mundësi për të folur me avokat apo përkthyes, sepse ajo nuk pranoi të dorëzonte dokumentet e saj. Ajo shton se gjithashtu nuk pranoi t’i jepte deklaratë policisë, se kishte merak mos e përkthenin gabim.”
Profesore Lory Amy dhe kolegu i saj u liruan dhe dolën nga komisariati i policisë rreth orës 22:30.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...