Gjyqtarë e prokurorë te korruptuar, zyrtarë që përdorin poste publike për t’u pasuruar dhe nevoja për t’i çuar ata para drejtësisë ishte fokusi i konferencës së nivelit të lartë antikorrupsion.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se është me rëndësi që qeveritë të gjejnë mënyrat për të zbuluar dhe ndëshkuar zyrtarët e korruptuar.
“Shenjë pozitive që Shqipëria diskuton temën thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga mënyrat për të treguar që qeveria shqiptare po punon në emër të qytetarëve dhe jo interesave të ngushta. Ka pengesa që përfshijnë zyrtarë të korruptuar, gazetarë që ose janë bërë palë ose janë kërcënuar, zyrtarë të përdorur për të promovuar interesa partiake, zyrtarë publikë të interesuar në nxitjen e interesit vetjak. Të gjitha qeveritë vuajnë nga një farë niveli korrupsioni, edhe SHBA nuk janë të përjashtuara nga kjo, por qeveritë mund të kufizojnë mundësitë për korrupsion e mund të dënojnë ata që përdorin postin publik për të pasuruar veten apo partitë e tyre”.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca kërkoi dënime të formës së prerë për zyrtarët e korruptuar dhe tha se tani shpresat janë tek SPAK.
“Kemi para një sërë dënimesh për zyrtarë të nivelit të ulët dhe të mesëm. 60% e magjistratëve që i janë nënshtruar Vettingut nuk e kanë kaluar. Pavarësisht kësaj korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të jetë shqetësim serioz për BE dhe shtetet anëtare. Duhen dënime të formës së prerë për zyrtarë të lartë që kanë qenë tepër të ulëta. Qytetarët duhet të kuptojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Kemi shpresa te SPAK dhe gjykatat. Është premtuese që kanë nisur hetimet për 23 magjistratë të shkarkuar nga vettingu, pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Hapa pozitivë janë ndërmarrë por lufta duhet të vazhdojë”.
Ndryshe nga ambasadorët, që kërkojnë më shumë arrestime për korrupsion te zyrtarët e lartë, Kryeministri Rama tha se arrestimet duhet të nisin nga sistemi i drejtësisë, duke theksuar se nuk ka politikanë të korruptuar, por prokurorë e gjyqtarë të tillë.
“Beteja këtu është beteja për ta filluar nga koka. Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka ka qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve që ndëshkimin e drejtësisë e kanë përdorur për hesape që nuk kanë të bëjnë me hesapet e shtetit. Po të mos ishin këta nuk do ishte as korrupsioni spektakël dhe vrastar i politikanëve”.
Duke e përforcuar këtë qëndrim, Kryeministri tha se SPAK duhet të dënojë gjyqtarët e prokurorët, përndryshe misioni i tij ka dështuar.
“Kjo është premisa që sipas mendimit tim duhet të fokusohet tek institucionet e reja të drejtësisë. Përndryshe SPAK do të jetë zhgënjimi më i madh i shqiptarëve nga Reforma në Drejtësi. Do të jetë goditja më e madhe morale që do t’i bëhet popullit shqiptar pas këtij angazhimi të madh. Do të jetë dështimi më i madh i partnerëve të Shqipërisë që janë përfshirë në këtë proces. SPAK ka misionin të pastrojë deri në fund ata që Vettingu i pastron thjesht nga fusha e sistemit. Ti pastrojë nga jeta shoqërore dhe t’i çojë në burg”.
Në konferencë u diskutua mbi raportin e GRECO, Grupin e Shteteve Kundër Korrupsionit, një korpus anti-korrupsion i Këshillit të Europës, i cili ka vlerësuar pozitivisht reformat e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah se vendi i përmbush shumicën e rekomandimeve dhe se po plotëson edhe rekomandimet e tjera në këtë fushë./TV Klan
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...