Nga Agim Nesho
Asambleja e Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021 nuk paraqiti asnjë program elektoral, asnjë ide dhe vizion për të ardhmen, por vetëm retorikë boshe kundër liderëve të opozitës. Përpjekja për të portretizuar liderët e opozitës si të paaftë, për t’i përçarë ata në koalicionin që do t’ju sigurojë fitoren, është një përpjekje e trishtuar nga një aventurier politik, i cili nuk prodhon më ide, nuk ka më programe për zhvillimin e vendit, përveç krijimit të një klime shtrënguese, autoritariste, presioni ndaj opozitës për të zgjatur pushtetin e tij të korruptuar me ndihmën e oligarkëve që kanë përfituar nga paratë publike.
Zgjedhjet e ardhshme nuk janë zgjedhje të thjeshta të rotacionit politik, por janë të lidhura me daljen e vendit nga udhëkryqi i rrezikshëm ku politikat e Rilindjes e kanë zhytur vendin, udhëkryq që do të përcaktojë nëse Shqipëria do të mbetet një shoqëri demokratike dhe do të integrohet në BE, ose do të kthehet mbrapa në regjimet e mbyllura autoritare, jo-liberale dhe jo-perëndimore.
Përgjegjësia përpara këtij momenti historik për të ardhmen e Shqipërisë e ka bashkuar opozitën në realizimin e qëllimit të madh, atë të çmontimit nga qeverisja e vendit të sektit të Rilindjes, një sekt që po shkatërron ekonominë e vendit dhe po asfikson perspektivën e tij. Mjafton të përmendim largimet në masë të të rinjve nga vendi, korrupsionin e thellë, keqadministrimin e ekonomisë me PPP dhe borxhi i jashtëm gjithmonë në rritje, për tu ndërgjegjësuar dhe përfshirë në lëvizjen për ndryshim.
Opozita tashmë e ka përcaktuar që kryeministri i ardhshëm do të jetë lideri i PD-së, zoti Lulzim Basha, një jurist e intelektual i edukuar në Perëndim, një lider që beson në përgjegjësinë e tij para vendit dhe popullit sesa në cilësitë e tij të pazëvendësueshme. Prandaj me qetësi ai po punon për t’i paraqitur Shqipërisë programin e ri dhe çfarë duhet të bëjmë për ta tejkaluar këtë situatë të rrezikshme, që insistimi i Rilindjes për të qëndruar në pushtet po sjell dëshpërimisht krijimin e një situate të pashpresë dhe pa perspektivë.
Por targeti i sulmit të Kryeministrit Rama në Asamblenë e PS nuk ishte Kryeministri i ardhshëm, por Presidenti i Republikës, Meta. Pse pikërisht ky? Presidenti Meta ka qenë dhe është institucioni i fundit që po i bën rezistencë kapjes së shtetit nga Rilindja, ruajtjes së paprekshmërisë së Kushtetutës dhe mbrojtjen e Republikës demokratike të Shqipërisë.
Me eksperiencë të gjatë dhe të dallueshme si shtetar, problemi i tij nuk qëndron me pushtetin (tashmë ai ka arritur çdo gjë) por me detyrën ndaj vendit dhe misionit të tij për të bërë një shoqëri demokratike, si student i dhjetorit ’90. Ai është politikani që solli në pushtet Ramën në 2013 dhe ka forcën të sfidojë Presidencën e tij kur shikon që vendi po gremiset drejt të panjohurës dhe një regjimi jo-demokratik.
Por ajo që e bën Ramën agresiv ndaj Metës, nuk është vetëm mos-nënshtrimi i tij ndaj presioneve me Parlament dhe shantazh mediatik. Presidenti Meta mbetet përpara Partisë Socialiste një lider me integritet që nga themelimi i saj, një shembull që është rritur me Partinë Socialiste. Sot Rilindja e ka spastruar Partinë Socialiste nga gjithë figurat e saj të shquara si Rexhep Meidani, Arta Dade, Kastriot Islami, Arben Malaj, Ethem Rukaj, Ben Blushi, etj për t’i hapur rrugë ideologjisë së re të spiropalizmit, ideologji e njëjtë me atë të ‘lejfenizmit’ të Revolucionit kulturor Kinez. Mëkati më i madh i Rilindjes është komprometimi i një brezi të ri, i deformuar në karakter për ti shërbyer një ‘misionari’ dhe përfituar nga konjukturat e pushtetit për përfitim personal. Në qoftë se misionari dështon dhe mbreti del lakuriq, kjo shtresë mbetet jashtë funksionit dhe nuk i duhet askujt.
Kryetari Rama e ka kuptuar se lojën e tij të gjatë me pushtetin e ka humbur tashmë. Asgjë nuk mund të ndalë zemërimin popullor, që i ka besuar një imposteri (profeti të rremë). Shfaqja përpara Asamblesë së PS është vetëm shfaqja e një të dëshpëruari, i cili kërkon që Partia e tij të mos shpërbëhet. Rilindja është si ajo bolla e zezë që po e shtrëngon në grykë PS-në për ta mbytur së bashku me të. Humbja e thellë e Partisë është një garanci më pak për të dhe çfarë ka dështuar me qeverisjen e vendit. Por Partia Socialiste nuk mund dhe nuk duhet të shkrihet nga keqpërdorimi një ‘pushtuesi’ të radhës që e ka përdorur atë. Ajo ka një alternativë ku mund të mbështetet dhe ky është Ilir Meta.
Kjo e tmerron zotin Rama. Së bashkë me fundin e tij të palavdishëm do të humbë dhe atë (partinë) që i dha fronin e pushtetit.
Ana tregon planet e saj pas Big Brother
Çeku liston 250 investime të kryera dhe në realizim në infra...
Konsiderohej si “financier” i grupit te Habilajve, gjykata l...
Elon Musk e quan kancelarin Scholz të Gjermanisë ‘budalla’
Gresa Hoti pozon pa pikë grimi
Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha