Google ADS

Alibeaj: Presidenti i ri i Shqipërisë duhet të jetë anti-komunist

12:55 | 13 Maj 2022
S D

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është shprehur sot se zgjedhja e Presidentit të ri të Shqipërisë duhet të bazohet në kritere të qarta.

Në një komunikim me gazetarët, Alibeaj ka thënë se kriteri kryesorë i propozuar nga PD është që presidenti i ri të jetë anti-komunist.

“Ne kemi propozuar kritere. Duhet të jetë president anti-komunist, që do të thotë mos të ketë qenë anëtar i Byrosë Politike, prokuror në dosje politike e me radhë… Angazhimi për çrrënjosjen e komunizmit përbën avantazh”, shtoi Alibeaj.

“E rëndësishme është që procesi garanton respektimin e këtyre kritereve. Nuk është e udhës të prezantojmë emra kur të rëndësishme janë kriteret”, theksoi Alibeaj.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk mori pjesë në takimin me Partinë Socialiste për procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Nuk isha në takim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste për një arsye fare të thjeshtë. Qëndrimi publik i grupit parlamentar të PDs-së dihet: kemi rënë dakord të marrim pjesë në një proces real të zgjedhjes së presidentit. Duhet një proces i sinqertë, i bazuar në kritere dhe kjo është garancia për qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye, e shohim të udhës që fillimisht ky proces nuk duhet perceptuar as për aparencë si farsë”, ka thënë Alibeaj.

Alibeaj shtoi se PS nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur e vetme presidentin pasi disa nga deputetët e saj kanë pasur probleme me drejtësinë.

“Në tre raundet e para, presidenti zgjidhet me 84 vota. Mazhoranca nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur e vetme presidentin, as për të bërë fares”, tha Alibeaj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi se e drejta për të propozuar emër për president i takon opozitës si përfaqësuese e gjysmës së popullit në parlament. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme