Aleanca me LSI, Rama: Ishte koha më e lavdërueshme e Metës

23:48 | 6 Nëntor 2020
Arbresh.info

Me malet e plehrave të Porto-Romanos pas krahëve, kryeministri Rama foli për bashkëpunimin me LSI-në gjatë mandatit të parë të socialistëve.

E quajti atë “kohën më të lavdërueshme të karrierës së Ilir Metës”, duke kundërshtuar fjalët e bashkëshortes së Presidentit, që ndryshe nga Rama thotë se ishte gabim.

“Monika thotë që ishte gabim, por për Ilir Metën ajo është koha më e lavdërueshme e karrierës së tij. Ç’a do Ilir Meta për 60-vjetor? Do vilën e Zogut”?

Si shembull të bashkepunimit me LSI, Rama solli projektin e inceneratorëve. Dëshmitar pati Lefter Kokën, që i është bashkuar tashmë socialistëve si deputet i Durrësit.

“Ja është edhe Teri këtu kur ishim në aleancë me LSI. Ata nuk japin zgjidhje, kërkojnë të përfitojnë nga njerëzit, dhe pastaj do bëjnë ekzakt atë që bëmë ne”.

Në fjalimin në Porto Romano, kryesocialisti pati një mesazh për votuesit demokratë, të cilët i paralajmëroi se kur të votojnë Bashën, do të marrin peshqesh Ilirin dhe Monikën, tha ai.

“Si do të ndihmojmë votuesit e PD, do kenë Monikën dhe Ilirin peshqesh, atyre u duhet folur që duhet ta refuzojnë këtë ofertë, Shqipëria nuk është e kërcënuar, PD është e kërcënuar”.

Në promovimin e platformës “Për Deputetin që Duam”, Rama mohoi të kishte ndonjë hall apo ndonjë tronditje aritmetike nga shifrat e zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Ne këtu nuk jemi në hall, nuk jemi këtu nga ndonjë tronditje aritmetike, nuk na sjell këtu ideja se na mundin ata, ata janë të mundur”.

Më herët Kryeministri inauguroi në Durrës një shkollë të rindërtuar pas tërmetit, ndërsa inspektoi punimet që po kryhen në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit të vitit të kaluar./tv klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme