Google ADS

Alarmi i ambasadave: Shmangni sheshin dhe protestën

19:33 | 12 Maj 2017
M. A.

Pas Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të tjera seli diplomatike u bëjnë thirrje shtetasve të tyre të shmangin të shtunën lëvizjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe qendrën e kryeqytetit.

Në njoftimin e saj, Ambasada e Francës u bën thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë në zhvendosjet e tyre brenda kryeqytetit gjatë ditës së shtunë, me arsyen e një rreziku real për ngjarje të dhunshme. Më e detajuar në ftesën për qytetarët e saj është treguar Ambasada e Holandës.

“Partia më e madhe opozitare në vend ka bërë thirrje për një protestë masive kundër qeverisë në kryeqytetin Tiranë, më 13 maj. Monitoroni mediet lokale dhe ndërkombëtare dhe kujdesuni e merrni të gjitha masat për të shmangur protestat dhe demonstratat politike. Nëqoftëse e keni të mundur, shmagni kalimin në sheshin qendror të Tiranës, sheshin ‘Skënderbej’, bulevardin, sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe zonën e ish-bllokut. Një paradë e komunitetit LGBT pritet gjithashtu të organizohet të shtunën në qendër të Tiranës. Stafi i Ambasadës së Holandës në Shqipëri ka këshilluar që të shmangen edhe këto ngjarje, sepse në të njëjtën datë do të mbahet edhe protesta e opozitës”.

Po njësoj, kujdes dhe shmangie të lëvizjeve rreth qendrës së Tiranës ka kërkuar edhe Ambasada e Italisë.

“Të shtunën do të mbahet një manifestim i opozitës, që do të nisë rreth orës 12 në zonën e bulevardit, në veçanti mes selisë së Partisë Demokratike dhe selisë së Presidencës. Rekomandohet që të shmangni zonën ku do të mbahet manifestimi dhe të tjera ngjarje përqark bulevardit. Sa i përket atyre që duan të marrin pjesë në paradën e LGBT-së, që organizohet në të njëjtën zonë, në të njëjtën ditë, ftohen që të jenë të kujdesshëm që të shmangin çdo pikë kontakti me manifestimin e opozitës. Rekomandohet gjithashtu që të evitohet kalimi pranë tendës së ngritur që prej muajit shkurt nga PD, ku do të mbahen fjalimet në fund të manifestimit”, thotë Ambasada e Italisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme