Alarm dhe frikë në Rinas, një i ri çan rrethimin dhe futet në avionin e linjës së Londrës

16:54 | 12 Shtator 2017
Arbresh.info

Një adoleshent nga Puka, që kishte dështuar në disa tentativa të mëparshme për të shkuar në Angli, ka tentuar te realizojë ëndrrën nga Aeroporti i Rinasit. Edhe pse ka vënë në jetë një skenar të dështuar, 17-vjeçari E. Gega, ka arritur të afrohet te shkallët e avionit.

Madje, edhe mund të kishte hipur, në rast se një polic “vigjilent” i kufirit s’do arrinte në kohë për ta ndaluar. Burime nga Policia e Shtetit thanë se adoleshenti kishte arritur të priste rrjetën e rrethimit të pistës së avionëve dhe nga aty ka vrapuar drejt avionit të parë që ishte gati për fluturim.

Ai është futur në mes të pasagjerëve që sapo kishin zbritur nga autobusi dhe po afroheshin për të ngjitur shkallët për t’u futur në avion. Për të nuk kishte rëndësi se cili ishte destinacioni i avionit, mjaftonte që të shkonte në një prej vendeve të Bashkimit Europian e më pas do të gjente një zgjidhje për të shkuar në Britaninë e Madhe. Madje, lutjet dëshpëruese të tij nuk ia ka kursyer as policit që e ka ndaluar bashkë me personelin e sigurisë së aeroportit.

“Të lutem, më lër të hipi në avion. Dua të shkoj në Angli!”

Kështu i është drejtuar ai efektivit kur po i vendoste prangat në duar. Burimet thanë se fillimisht është dyshuar për ndonjë sulm të mundshëm dhe menjëherë forca të shumta policie e kanë rrethuar të riun “klandestin”, që pas kontrollit fizik, ka rezultuar i pastër. Madje, mësohet se në xhepa kishte vetëm një shumë modeste parash dhe një kartë identiteti, asgjë tjetër.

Gega është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Rinasit dhe ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për dy akuza. Atë të shkatërrimit të pronës dhe kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror. Në deklarimet që ka dhënë para oficerit të policisë, 17-vjeçari ka pohuar se ishte djali i vetëm i një familjeje të varfër në Pukë dhe donte patjetër që të shkonte në Britaninë e Madhe, të punonte atje për të ndihmuar familjen.

Madje, ka pohuar se e kishte provuar që të shkonte atje edhe në mënyra të tjera, por e kishin kthyer.

Duke mos pasur mundësi ekonomike për të udhëtuar me një biletë drejt BE, ai ka deklaruar se ka tentuar këtë mënyrë, edhe pse të vështirë, që të hipte në avion. E megjithatë, ky incident tregoi sërish sa e brishtë vijon të mbetet siguria e pistës së avionëve në Rinas, që u thye për herë të tretë brenda një viti. /Panorama

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme