Google ADS

Akuzohen për korrupsion e pastrim parash, përfundon seanca për Metën e Kryemadhin, trupi gjykues tërhiqet për vendim

18:06 | 23 Tetor 2024
E.G

Vetëm pak minuta më parë ka përfunduar seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

Seanca ka nisur në orën 13: 30 dhe ka zgjatur rreth 4 orë. Ajo u shoqërua me tone të ashpra. Meta gjatë seancës ka kërcënuar hapur si drejtuesin e SPAK-ut ashtu edhe dy prokurorët e çështjes në ngarkim të tij.

Trupi gjykues është tërhequr për vendim ndaj të pandehurve të cilët janë nën akuzë për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Meta është në arrest me burg prej të hënës në mesditë, deputetja Kryemadhi dhe Ema Çoku janë nën detyrim paraqitje, ndërsa Piro Xhixho është në arrest shtëpie.

Avokatët mbrojtës të tyre kërkuan kohë nga GJKKO, që të njihen me aktet hetimore, ndaj seanca u ndërpre për tre orë, për të rifilluar në mesditë.

Ish presidenti Meta mësohet se ka zgjedhur që të japë vet para gjykatës, dhe jo përmes avokatit, shpjegimet mbi materialet hetimore dhe episodet e dyshura si korruptive të paraqitura në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit. Bëhet e ditur se me këto shpjegime zoti Meta ka vazhduar për rreth dy orë.

Pas tij, edhe deputetja Kryemadhi ka nisur të japë shpjegimet vet para gjykatës, pa ndërmjetësinë përfaqësuese të avokatit.

Meta dhe Kryemadhi e kanë cilësuar çështjen ndaj tyre si të motivuar politikisht dhe si një sulm kundër opozitës nga ana e kryeministrit Edi Rama. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe politikanë të tjerë opozitarë.Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan sërish mbështetjen e tyre mbi përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Ky qëndrim i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

vijon

/rtsh.al/

 

Të ngjashme