Aksion masiv kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar

09:55 | 22 Tetor 2018
Arbresh.info

Policia e Shqipërisë ka ndërmarrë një aksion masiv në mbrëmjen e së dielës dhe deri në orët e para të së hënës, duke arrestuar dhe ndaluar dhjetëra persona, si aksion kundër trafikimit të drogës, armëve dhe krimit të organizuar.

Operacioni i Policisë ka qenë i shtrirë në pesë rrethe të Shqipërisë: Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Lezhë.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Shqipërisë.

Në një deklaratë të Policisë së Shtetit thuhet se arrestimi i ish-deputetit Ndoka është kryer pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda që ka caktuar masën “arrest në burg”.

“Ai (Ndoka) dyshohet për veprat penale falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se Shqipëria “do të bëhet vend i pajetueshëm për kriminelët”.

“Atyre që bëjnë politikë me krimin, lufta kundër krimit u rrit dëshpërimin. Sa më fort do ta godasim krimin, aq më e dëshpëruar do të bëhet kundërvënia e tyre! Ne do ta bëjmë këtë vend të pajetueshëm për kriminelët dhe të pashpresë për ata që me krimin bëjnë politikë”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka mirëpritur aksionin e Policisë së Shtetit. Ai, përmes një postimi në Twitter ka thënë se “ne mirëpresim operacionin e gjerë anti-drogë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut me drogë në Shqipëri është prioriteti më i lartë për BE-në. Në vazhdim presim që kjo të rezultojë me përndjekje dhe dënime për të krijuar një historik solid”.

Shqipëria shpreson të nisë negociatat vitin e ardhshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe lufta kundër korrupsionit është një nga fushat kryesore që vendi duhet të punojë para se të fillojnë këto bisedime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme