Aksidenti i frikshëm, djali i biznesmenit grek i shkaktoi vdekjen 25-vjeçarit shqiptar

23:23 | 13 Janar 2021
Arbresh.info

Djali 19-vjeçar i një biznesmeni grek, i përfshirë në një aksident me pasojë vdekjen ku humbi jetën një djalë shqiptar, ka pranuar përgjegjësinë ligjore.

Aksidenti ka ndodhur pasditen e 17 Dhjetorit 2020 rreth orës 18:30 në lagjen Ekali të Athinës.

19-vjeçari, djali i një pronari anijesh, po drejtonte një fuoristradë “Mercedes GLE” kur përplasi një motor që drejtohej nga një 25-vjeçar shqiptar. Ky i fundit humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda që kishte pësuar.

Tani ekspertiza rrugore ka përcaktuar se 19-vjeçari kishte shkelur rregullat e qarkullimit dhe nuk kishte respektuar tabelën e ndalimit “Stop”. Kjo u bë shkak i përplasjes me motorin e drejtuar nga 25-vjeçari shqiptar i quajtur Fotis Përndreca, duke i shkaktuar këtij të fundit vdekjen e menjëhershme.

Djali i biznesmenit po kthehej nga palestra në ato momente dhe nuk rezulton të ketë qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ai është justifikuar duke thënë se nuk e kishte parë tabelën që shkruante “Stop”. Megjithatë, 19-vjeçari është arrestuar dhe çështja tashmë do të gjykohet për aksident me pasojë vdekjen.

Familja e 25-vjeçarit shqiptar ka thënë për mediat greke se kërkojnë ndëshkimin e shkaktarit të aksidentit që i mori jetën djalit të tyre. Çështjen, thonë se ja kanë lënë drejtësisë dhe do të presin përfundimin e hetimeve.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i familjes së shqiptarit shprehet se pas procesit penal, do të nisin procedurat për proces civil ku do të shfaqin pretendimet e tyre për dëmshpërblim./tvklan.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme