Google ADS

“Air Albania” fluturon në prill, linja e parë nga Tirana në Stamboll

17:19 | 26 Mars 2019
Arbresh.info

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar se ka përfunduar certifikimin e kompanisë ajrore flamur të Shqipërisë “Air Albania”, duke i hapur rrugë nisjes së fluturimeve nga kjo kompani.

Krislen Keri, kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, ka deklaruar se “fluturimet do të fillojnë në mes të prillit”.

“Air Albania” ka kryer regjistrimin e avionit të parë i cili ka mbërritur në Rinas dhe do të bëjë linjën Tiranë-Stamboll.

Por, sipas kreut të Aviacionit Civil, kjo linjë do të pasohet nga të tjera që do të fluturojnë në Evropë dhe veçanërisht në tregun italian, ku është edhe fluksi më i madh.

“Jemi informuar nga kompania se shumë shpejt do të mbërrijë avioni i dytë i cili do të fluturojë në tre aeroporte të Italisë: Romë, Milano dhe Bolonja, si dhe aeroportin e Londrës”, ka deklaruar Keri, shkruan Top Channel.

Sipas kreut të Aviacionit Civil, nisja e fluturimeve nga kjo kompani pritet të ulë çmimin e biletave që paguajnë shqiptarët për të fluturuar

“Nuk dua të vë shifra, por duke parë strukturën e kostove, çmimet pritet të jenë më të ulëta”.

Procesi i krijimit të “Air Albania” nisi në maj të vitit të kaluar, kur shoqëria “Air Albania” bëri kërjkesën pranë qeverisë shqiptare për krijimin e njjë kompanie kombëtare flamurmbajtëse.

Kompania zotërohet nga tre aksionerë, MDN Investments, Albcontrol sh.a dhe Turkish Airlines, ku pala shqiptare ka mazhorancën me 51% të aksioneve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme