Me një tabelë shahu nën sqetull dhe duke fshirë djersët nga moti i nxehtë bregdetar, Musa Muhiti niset drejt një parku përskaj plazhit të Shëngjinit në Shqipëri.
Nën hijen e pemëve të mëdha që gjenden në këtë park, ky refugjat afgan nis rutinën e pasdites me një nga bashkëkombësit e tij, me të cilin njihet tash e disa muaj.
Që nga viti 2021, të ikur nga regjimi taliban, afër 4 mijë afganë janë vendosur në qytete bregdetare të Shqipërisë, në pritje për të migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas një marrëveshjeje të arritur mes Shqipërisë dhe SHBA-së, shumë prej tyre afganëve vendosur në kompleksin pushimor “Rafaelo” në Shëngjin.
Atyre u mundësohet strehim, ushqim dhe kujdes mjekësor falas.
Por, për një pjesë prej tyre, pritja e dritës së gjelbër për t’u zhvendosur në SHBA ka nisur t’ua bëjë të mërzitshme edhe këtë lloj jetese që i ngjan pushimeve verore.
“Vite më parë kemi dëgjuar nga mësuesit tanë se kur dikush është emigrant kalon nëpër pesë faza. E para është entuziazmi për të parë vendin e ri, e dyta është kriza, e treta është përthithja e elementeve të kulturës së huaj, e katërta përplasjet kulturore dhe e pesta gjendja e rënduar mendore”, thotë Muhiti për Radion Evropa e Lirë.
Ky 51-vjeçar, që në Afganistan kishte punuar si profesor i matematikës, thotë se “i kam kaluar pesë fazat”, gjatë qëndrimit në Shëngjin për 20 muaj.
Ai ndan fatin e njëjtë me mbi 300 refugjatë të cilët kanë mbetur në Shqipëri qe afër dy vjet, për shkak të procedurave që ka SHBA-ja për lëshimin e vizave për ta. Ndërkaq, disa të tjerë arritën që t’i kalonin më shpejt procedurat.
Kjo pritje dhe fakti se nuk e di kur do të ikë, Muhiti thotë se e ka penalizuar sepse nuk ka arritur të integrohet plotësisht në Shqipëri.
“Si shembull, [nëse do ta dija se do qëndroja kaq gjatë] në 20 muajt e fundit do të isha mundur të mësoj shqip, të ndiqja ndonjë kurs për të mësuar menaxhimin e hoteleve, për të mësuar vozitjen, apo diçka tjetër. Më besoni, çdo ditë mendoj se do largohe, sot ose nesër”, thotë Muhiti.
Për ta kaluar mërzinë, ai nisi të punonte në kuzhinën e kompleksit “Rafaelo”, që u shpërben vetëm afganëve që janë të vendosur aty dhe që aktualisht janë afër 800.
Qe gjashtë muaj, ai ka punuar në orarin e pasdites, ndërkaq në dy muajt e fundit ka nisur të marrë edhe pagë.
“Kam punuar shumë gjithë jetën time [në Afganistan], kam bërë një jetë, një shtëpi, një veturë, një biçikletë…gjithçka më ka humbur. Tani duhet t’ia nis nga fillimi. Por, të paktën ta di se kur do ia filloj [jetën në SHBA]”, thotë Muhiti, i cili në Shqipëri jeton me gruan dhe vajzën e rritur.
“Brengosem për të ardhmen e fëmijëve”
Loja e shahut nuk i pëlqen shumë, madje nuk i pëlqen as ushqimi që përgatitet në kuzhinën e “Rafaelos”.
Arash Noori, gazetar dhe kameraman nga Afganistani, po e përjeton rëndë faktin që ka mbetur në Shqipëri që nga tetori i vitit 2021.
“Është vështirë ta lësh vendin tënd. Kam lënë prapa gjithçka, shtëpinë, kompaninë time. Kam ende familje atje”, thotë Noori.
Në Shqipëri, ai erdhi me bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tyre, të cilët janë brenga e tij më e madhe.
Duke qenë se qëndrimi i afganëve në Shqipëri ka qenë i paraparë të jetë i shkurtër dhe i përkohshëm, atje nuk ka një shkollë të regjistruar ku fëmijët mund të marrin certifikata për mbarimin e klasave.
“Është një shkollë shqiptare këtu. Nga mëngjesi, nxënësit shqiptarë shkojnë atje e pasdite fëmijët afganë. Mësuesit për afganët janë mbledhur në mesin e refugjatëve…por, nuk marrin rezultate. Kjo është një imitim i shkollës”, thotë Noori.
Noori thotë se meqë “nuk ka asgjë për të bërë” në Shqipëri, po merret me prodhimin e videove për Youtube bashkë me një nga djemtë e tij.
Ditët kryesisht i kalon duke ecur në shëtitoren rreth plazhit.
E brenda në apartamentin dydhomësh të hotelit “Rafaelo” ku jetojnë familja Noori, bashkëshortja e Arashit, Deeba gatuan shpesh ushqime afgane, pasi ia kërkojnë fëmijët.
“Ata nuk hanë në kuzhinën e restorantit, thotë se ushqimi atje nuk ka shije dhe kërkojnë ushqim afgan. Unë ua përgatis”, thotë Deeba, për të cilën kjo nuk është puna e vetme që bën gjatë ditës.
Mungesa e aktivitetit duke mos ditur se sa do të qëndrojnë në Shqipëri dhe mërzia për familjarët që kanë mbetur në Afganistan, Deeba thotë se ia rënduan gjendjen mendore.
“Të gjithë jemi bërë keq. Unë kam rënë në depresion, sepse nuk po dilja. Nuk kisha punë. Ju e shihni, kjo është zonë pushimesh, shumicën e kohës kam qenë në shtëpi, duke mos bërë asgjë”, tregon ajo.
Për të kaluar kohën, Deeba tashmë ka nisur punë në një restorant në Shëngjin, ku punon pasditeve.
“Dëshira ime më e madhe është që dokumentet tona për emigrim në SHBA të procesohen më shpejt”, thotë ajo.
Sipas autoriteteve shqiptare, aktualisht në Shqipëri gjenden rreth 1 mijë afganë, që janë të vendosur në Shëngjin dhe Durrës. Në mesin e tyre, nga viti 2021 kanë lindur 50 fëmijë dhe kanë vdekur katër persona.
Afganët që gjenden në Shqipëri kryesisht janë ish-punonjës të Qeverisë afgane, aktivistë e gazetarë./REL
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...