Emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e Prokurorisë së Katanias.
Për të vërtetuar që përdorimi i emrit të tij ishte rastësor dhe i papërfshirë në hetime, ish-ministri i Brendshëm doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se brenda 48 orëve kishte mundur të merrte nga Prokuroria e Katanias këtë vërtetim që dëshmonte se ai nuk është person nën hetim nga italianët.
“Brenda 48 orëve me një kërkesë fare të thjeshtë, unë sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias. Ky dokument mban datën 23 dhe thotë se përsa i përket shtetasit Saimir Bashkim Tahiri, i lindur më 30 Tetor 1979, nuk rezulton sot dhe më herët deri në këtë datë, që të ketë pasur ndonjëherë procedim penal nga Prokuroria e Katanias”, deklaronte Tahiri më 24 tetor.
Top Channel për shkak të çështjes tejet të ndjeshme dhe personit që përmendej në dosje, i kërkoi Prokurorisë së Katanias sqarime të mëtejshme për rastin në fjalë. Përgjigjja nga zyra e Prokurorit të Katanias ishte se “prokurori nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet”. Në këtë moment kërkuam të dinim sesi mund të merrej një vërtetim i tillë.
Për këtë ne pyetëm një studio avokatie në Katania. Avokatja Carmen Gulizia na shpjegoi se një vërtetim të tillë mund ta kërkojë çdo shtetas, italian ose jo, fizikisht ose me ndërmjetësinë e një avokati italian.
Atëherë ne autorizuam avokaten Carmen Gulizia që të kërkonte një vërtetim të tillë për ne. Pasi kërkesa u dorëzua, pritëm 48 orë. Përgjigjja nuk erdhi. Përgjigjen avokatja jonë e mori pranë kancelarisë së Prokurorisë vetëm pas 7 ditësh.
U interesuam nëse vonesa kishte të bënte me ne. Por avokatja italiane na shpjegoi se një dokument i tillë nuk mund të merret për 48 orë. Edhe nëse do të ishim paraqitur vetë fiziksht pranë Prokurorisë së Katanias, afati nuk ndryshon.
Në bashkëpunim edhe me kolegët e MeridioNews iu drejtuam atëherë dy studiove të tjera në Katania përfshirë kreun e dhomës penale të Katanias, të cilët na siguruan dokumenta të tjerë, kësaj here të shtetasve italianë, të cilëve u kemi mbuluar emrat për efekt privatësie. Ajo që vumë re fillimisht është që afati i marrjes së dokumentave është për të gjithë mbi një javë pas depozitimit të kërkesës.
Në njërin prej dokumentave nuk ka firmë, por është një skan-kod shtesë në të djathtë lart. Avokatët na sqaruan se nëse dokumenti merret në mënyrë elektronike me e-mail, i vihet ky skankod shtesë. Nëse merret fizikisht, me postë apo pranë sekretarisë, ka firmë.
Përveç kësaj, dokumentat janë identikë me dokumentin tonë. Por, të krahasosh dokumentin tonë me dokumentin e paraqitur nga ish-ministri Tahiri, me sy të lirë këto 2 dokumenta janë shumë të ndryshëm, edhe në përmbajtje, por sidomos në formë. Pse?
“Dokument të tillë nuk kam parë kurrë. Jo vetëm që nuk kam parë, por nuk janë të tillë dhe mund ta shohim. Është e dukshme! mungojnë një sërë gjërash. Së pari nuk është logo e Republikës së Italisë, që duhet të jetë në çdo akt zyrtar italian. Nuk është barkodi, që është një kod që shërben për të identifikuar aktin dhe cili e ka lëshuar këtë akt. Ka një numër protokolli dhe mbi të gjitha, këtu thuhet: Nuk rezultojnë regjistrime.
Duket sikur dikush e ka parë këtë dhe e ka shkruar në mënyrë pak të shpejtë, sepse ligji italian nuk thotë nëse ka apo jo regjistrime, por thotë: Nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Por e përsëris, ka një dallueshmëri objektive. Mjafton që të shikoni, ky është origjinali ky është dokumenti që më keni treguar. Janë te papërputhshëm! Jo të ndryshëm, të papërputhshëm. Ky është një dokument fals. Domethënë, nuk mund ta them që është fals, është një krim i rëndë “falsifikimi i akteve publike”. Është një nga krimet më të rënda të parashikuara në kodin tonë penal”, thotë avokati, Gofrredo D’Antona.
“Absolutisht më duket një dokument jooriginal, duke marrë parasysh që dokumenti i Prokurorisë, pra ai zyrtari ka nje bar kod, ka kokën me logon, ka një kod të skanueshëm. Ky është modeli që lëshohet nga Prokuroria e Katanias. Nuk më rezulton që të ekzistojnë të tjera. Kjo vulë nuk mund te them ç’është, por nuk mund të përjashtoj që të jetë e vërtetë. Por ama nuk tregon se cili është burimi që e ka vendosur. Ka një firmë me stilolaps, por jo emrin e punonjësit të Kancelerisë që e ka lëshuar. Mirëpo, nuk është e thënë që edhe nëse ekziston një procedim penal në ngarkim, ai të shkruhet dhe të jetë pjesë e dokumentit të lëshuar, sepse në shumicën e rasteve në certifikatë shkruhet: nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Çka do të thotë që një subjekt mund të jetë i hetuar për krime të rënda, por pa iu komunikuar kjo, sepse duke qenë një sekret hetimor është e natyrshme që nuk do të tregohet në një dokument që i lëshohet subjektit, që është objekt i atij hetimi”, thotë Enrico Trantino, Kryetar i Dhomës Penale të Katanias.
Pra në bazë të këtij investigimi dhe intervistave, duket që kemi të bëjmë me 2 vërtetime të ndryshme; ai i siguruar nga ne, nëpërmjet avokates Carmen Gulizia dhe ai zotit Tahiri me mangësitë e formës dhe të përmbajtjes që ka.
Top Channel siguron që vërtetimi i marrë nga ne ka dalë nga Prokuroria e Katanias, zyrtar dhe sipas afateve që parashikon procedura. A mund të thotë zoti Tahiri të njëjtën gjë për dokumentin e tij? Dhe më kryesorja, siç thotë edhe kryetari i Dhomës Penale të Katanias, edhe po të ishte një dokument origjinal, nuk vërteton në mënyrë të prerë nëse ndaj Saimir Tahirit ka apo jo ndjekje penale nga Prokuroria e Katanias./Top Channel
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...