A ishte Kosova shembull për numërimin e votave? Tregon Ilir Meta

19:08 | 8 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti Ilir Meta i ftuar në UET, përpara një paneli studentësh ekselentë foli edhe për situatën pas-zgjedhore në Kosovë.

Meta u shpreh se Kosova tregoi se di të numërojë votat në një kohë rekord dhe pa pasur asnjë incident. Ai shtoi se Shqipëria e nisi dramën e vet në vitin 2008, kur edhe u bënë ndryshimet Kushtetuese, kohë kur demokracia në vend pësoi deformime.

Kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta deklaroi se nuk e priste që Vetëvendosje të dilte forcë e parë, edhe për shkak të përçarjes që pësoi ky subjekt politik, por tha se vlerëson figurën e Albin Kurtit.

“Na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin zgjedhje në Danimarkë. Jo se Shqipëria nuk numëron dot votat kaq shpejt, por lidershipi politik këtu ua ka bërë të vështirë mundësinë për të numëruar shpejt. Ka disa veçanti atje, por i mirë është edhe sistemi elektoral. E kanë me lista të hapura. Voton për partinë, por edhe për kandidatin. Ka meritë sistemi sepse qytetari jep mendim për deputetin dhe i vendos partitë nën presion për të vendosur njerëz sa më të mirë. Drama jonë fillon më 2008. Këtu te ne gjithë sistemi është i mbyllur. Këtu deputetët janë thjesht vartës të eprorit. Kjo ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare të Shqipërisë. Këtu dhe strukturat ligj-zbatuese nuk kanë funksionuar, sepse në Kosovë kishte arrestime, ndërhyri Prokuroria.

Ka rritje të bashkëpunimit, por shpesh ka thjesht politika ditiore, ka përdorim të brendshëm si te ne, si në Kosovë, gjë nuk është e dobishme. Në Kosovë është bërë votim për ndryshim. Për Albin Kurtin mund të them se ka potencial politik. Unë nuk e kam besuar se VV do të dilte forcë e parë, pavarësisht se e dija se garë do të kishte. Nuk besoja se del e para, për shkak se iu shkëput një grup deputetësh. Natyrisht tjetër është të bësh opozitë dhe tjetër të qeverisësh, që është më e vështirë, ka edhe presione. Qeveria duhet të ketë partnerë edhe minoritetet, sepse e kanë në Kushtetutë këtë gjë”, tha Meta.

Presidenti Meta tha më tej se i vjen keq për fenomenin e largimit të të rinjve, një fenomen që në Shqipëri ka ndodhur vitet e fundit si askund tjetër.

“Në kohën që kam qenë student, iknim shumë, sepse këtu nuk kishte industri. Ndërsa, fatkeqësisht sot po zbrazet vendi nga të rinjtë dhe të rejat. Ka vend kaq Shqipëria sa të mbajë shqiptarët. Të rinjtë nuk duhet që të ikin, por të punojnë në vendin e tyre. Arsyeja atdhetare është shumë e fortë për të mos ikur, por nuk duhet të mbetet thjesht e tillë, sepse të rinjtë duan sukses dhe të ardhme të sigurt. Ne do iu japim shans studentëve që të ngrenë zërin më shumë, të kenë një perspektivë më të mirë të nesërme. Një shtet shembull për rininë është Izraeli, por edhe Estonia. Në Estoni ishte asgjësuar burrokracia. Edhe Maqedonia Veriore ka arritur rezultate të larta në nxitjen e investimeve të huaja, Pra na mungon një politikë më e orientuar afat-gjatë, në bazë të së cilës të mbështetet arsimimi. Ne nuk bëjmë politikë afatgjatë. Kjo na bën që të kënaqemi me remitancat në tërësi dhe me burime j të shëndetshme dhe jo të qëndrueshme. Suksesi do kohë të caktuar për të pasur rezultate”, u shpreh Meta./bw

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme