Google ADS

A do të zbutet kriza politike nga ndryshimet në qeveri?

15:50 | 13 Mars 2017
Arbresh.info

Largimi i ministrave nga kryeministri Rama që ata të jenë në shërbim të zgjedhjeve për PS-në në zonat elektorale, duket jo bindës dhe i sforcuar.

Kryeministri Edi Rama lajmëroi në fundjavë lëvizjen e ë ministrave në kabinetin e tij si përpjekje për të tejkaluar një krizë politike disa javore. Opozita këmbëngul se protesta do të vijojë deri sa të dorëhiqet vetë kryeministri.

Ikja e ministrave u përshkruan si një “rrufe në qiell të pastër”. Ministrat Tahiri dhe Beqaj kanë qenë sistematikisht më të anatemuarit nga opozita, por njëkohësisht dhe më të mbrojturit nga kryeministri Rama. Dy ministrat e tjerë, Çuçi apo Klosi, duken se kanë lëvizur për “sfond” të këtij veprimi të beftë të kreut të qeverisë.

Rama: Ndryshimet janë politike

Hamendësimit mediatik se vendimi i Ramës ishte “shkarkim” apo “dorëheqje” e ministrave, ju përgjigj vetë kryeministri të dielën pasdite, ku me fjalë të zgjedhura të një pronocimi të parapërgatitur me kujdes, tha gjatë mesazhit me me zë dhe figurë në Facebook, se bëhej fjalë për ndryshime. Ai bëri lavde për katër ish-bashkëpunëtorët e tij në kabinet, dhe e cilësoi ndryshimin jo të diktuar nga protesta e opozitës apo nga ndonjë kërkesë që i kish bërë aleati i tij në mazhorancë Ilir Meta.

Sipas Edi Ramës ndryshimet e qeverisë, të cilat do ja bëjë prezentë Presidentit të Republikës, nuk reflektojnë asgjë tjetër veçse domosdoshmërinë “që udhëheqësit tanë politikë të fushatës të qershorit të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë. Duke nisur nga Tirana ku Tahiri është kryetari i partisë sonë dhe ambicia jonë është të ngrihemi mbi rezultatin e fitores shembullore të vitit 2013. U bëj sot thirrje të gjithë socialistëve dhe mbështetësve të lidershipit e skuadrës të ngrihen në këmbë dhe të trokasin derë më derë pa pushim për të hapur siparin e një beteje të re për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

Basha: Nuk largohemi pa u dorëhequr Rama

Lëvizjet në qeveri janë përcjellë me skepticizëm nga opozita. Duke e konsideruar si një meritë të saj këto vendime të kryeministrit, Basha tha se kauza e opozitës do të vijojë, me kërkesat e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për PD dhe aleatët e saj nuk mund të ketë zgjedhje me standarde me kryeministër Edi Ramën.

“Nuk jemi mbledhur këtu as për ‘koka turku’, as për ‘koka kecash’, as për ‘delesh’. Jemi mbledhur këtu për një mission: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Si mendon ai se ne do ja vëmë fajin Lindita Nikollës për kanabizimin e Shqipërisë? Apo ndonjë personi tjetër. Ky ka qenë produkt i vendimeve politike që Rama ka marrë për të sjell krimin në pushtet. Ai nuk kishte besim se qytetarët do të ngriheshin. Ngritja popullore rritet nga ora në orë. Nuk jemi këtu për të ngrënë sapunin për djathë apo Tahirin për Ramën. Ne nuk largohemi nga këtu pa u dorëhequr Edi Rama”.

Godole: Si pozitës ashtu edhe opozitës u është prishur busulla

Jonila Godole, pedagoge e komunikimit politik në Departamentin e Gazetarisë në Universitetit të Tiranës mendon se largimi i ministrave që ata të jenë në shërbim të zgjedhjeve për PS-në në zonat elektorale, duket jo bindës dhe i sforcuar. Shkarkohen ministra, të cilët paskan bërë një punë të shkëlqyer?!, pyet Dr. Godole. Komunikimi politik i qeverisë është i sforcuar dhe lë shteg për abuzim mbi arsyet e vërteta të zëvendësimeve të fundit, shprehet ajo në intervistë për Deutsche Welle-n.

“Duke parë qetësinë e ndërkombëtarëve këto ditët e fundit, dyshoj se pas kuintave janë ata që kanë sugjeruar largimin e ministrit të brendshëm për t’i hedhur dorashkën opozitës. Kështu që të dyja palët po rishikojnë pozicionimet e tyre që të mos tradhëtojnë vetveten. Personalisht më duket se si pozitës ashtu edhe opozitës u është prishur busulla, dhe po bëjnë lëvizje të pamenduara mirë, hapa afatshkurtër të ndikuar nga oshilacionet e njëra-tjetrës. Nuk shoh një dialog të mirëfilltë mes të dy palëve që të dojë të zgjidhë situatën, por një lojë të njohur mes tyre, hedhje topi nga njëra portë te tjetra, më shumë për të penguar sesa për të ndihmuar procesin”.

Xhani: Shkarkimi i Tahirit solli dhe largimin e tre ministrave të tjerë

Kryeredaktori i të përditshmes Koha Jonë, Qamil Xhani, i konsideron shkarkime lëvizjet e fundit të kryeministrit. Sipas arsyetimit të tij, kjo sepse ministri Tahiri mohoi 48 orë më pare se largimi nga qeveria po bëhej me dëshirën e tij. Fjala dorëheqje, që zakonisht përdoret në rastet kur largimet bëhen me mirëkuptim nga të dy palët, kryeministrit dhe ministrave, nuk është përmendur asnjëherë, në asnjë rast këto ditë, thotë Xhani për Deutsche Welle-n.

“Edhe më i paqartë se shkarkimi i z. Tahiri duket shkarkimi i tre ministrave të tjerë të kabinetit ‘Rama’, të cilët janë njoftuar vetëm ditën e fundit për projektin e kryeministrit. Cilado qoftë arsyeja e vërtetë që solli largimin e 25 për qind të kabinetit qeveritar, argumentet që paraqiti z. Rama për largimin e ministrave nuk duken bindëse. Rama deklaroi se hoqi 4 ministra për t’u lënë më shumë kohë të merren partinë dhe fushatën e ardhshme zgjedhore. Nëse kjo do të ishte arsyeja e vërtetë, Kryeministri duhet të kishte larguar edhe 5 ministra të tjerë që janë koordinator të PS-së në fushatë. Për mendimin tim, ishte shkarkimi i Tahirit ai që solli dhe largimin e tre ministrave të tjerë”.

Ndryshimet ministrore nuk sjellin garanci për qetësim e situatës

Por a konsiderohet ky veprim i Ramës si “koncesion” për të zbutur klimën e acaruar politike në vend, në një kohë kur në agjendë veç reformës në drejtësi janë dhe zgjedhjet e presidentit dhe ato parlamentare? Qamil Xhani nga Koha Jonë thekson faktin se as vetë Kryeministri nuk i paraqiti ndryshimet si tentativë për të zbutur protestat e opozitës.

“Opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe ikja e 4 ministrave për arsye që nuk lidhen me kërkesat e PD nuk e ndryshon klimën e tensionuar politike. Aq më tepër që dhe emrat e zgjedhur nga Rama për t’i larguar nuk kanë të gjithë peshë të veçantë politike përballë opozitës. Konkretisht z. Çuçi apo z. Klosi, janë dy ministra që nuk kanë qënë asnjëherë në agjendën e akuzave të opozitës dhe as është kërkuar largimi i tyre nga PD. Ndryshimet e fundit brenda Qeverisë rregullojnë balancat mazhorancë dhe brenda Partisë Socialiste, por nuk sjellin asgjë të re për opozitën. Më shumë se për PD-në, ndryshimet në qeveri do të zbusin situatën brenda vetë koalicionit të majtë dhe krijojnë terrenin për hapjen e negociatave për marrveshjen e re me aleatëve”.

Për Jonila Godolen, situata politike në vend është e tensionuar dhe ndryshimet ministrore nuk sjellin garanci për qetësim të saj. Kemi një opozitë që proteston me të drejtë, thotë ajo, për uzurpimin e politikës nga droga, për lidhjen me krimin etj, plagë këto të thelluara në vitet e fundit.

“Dhe kemi një qeveri që po përpiqet të shpëtojë ç’të mundet nga imazhi i saj pak muaj para zgjedhjeve. Me lëvizjet e saj për ndryshim kabineti qeveria po përpiqet të fitojë kohë. Kjo e justifikon opozitën dhe kauzën e saj për të vazhduar protestën. Sidomos po t’i ofrohet një model qeverie teknike pa ministrat e shkarkuar, por me zëvendësues të tyre po brenda koalicionit të majtë. Opozita natyrisht mund të vazhdonte protestën për qeveri teknike dhe të kthehej në parlament për vetingun, por këto kompromise në të shkuarën kanë treguar se dardha e ka bishtin prapa, duke u shoqëruar me kosto për opozitën si në rastin e kompromisit paraprak për reformën në drejtësi dhe parregullsitë që rezultuan më vonë. Është e qartë, sa më i madh presioni, aq më i lartë do të jetë në fund çmimi i kompromisit mes palëve”.

Pedagogia e komunikimit politik në Universitetin e Tiranës shpreson që presioni i jashtëm mbi aktorët politikë brenda vendit të jetë i frytshëm, “në mënyrë që të mos kemi destabilizim pak muaj para zgjedhjeve në këtë 20 vjetor të 1997-ës”./Deutche Welle

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme