Presidenti Ilir Meta në një intervistë për gazetën “Kathimerini” ka folur për ngjarjet e fundit politike në vend si dhe veprimet e parlamentit për shkarkimin e këtij të fundit.
I pyetur se nëse do pranojë një vendim të parlamentit për shkarkimin e tij ai tha: “Kam bërë një betim sublim si President i Republikës për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën e vendit tim dhe unë do t’i mbetem besnik atij premtimi deri në ditën e fundit në këtë zyrë.
Çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës”
Më tej Meta i pyetur nëse vendi duhet të marrë datë hapjeje të negociatave të anëtarësimit në vjeshtë, nisur edhe nga klima politike, u shpreh se: “Tetori nuk është larg, por ne jemi ende në kohë për ta transformuar këtë krizë të thellë në një mundësi reale europiane për hir të popullit shqiptar. Kryeneçësia për të qëndruar indiferentë ndaj rrethanave të përkeqësuara aktuale apo edhe më keq, për të ecur verbërisht drejt një regjimi njëpartiak do të ketë pasoja shkatërruese për vendin dhe të ardhmen e tij europiane”.
Presidenti është pyetur gjithashtu dhe për deklaratat e tij të disa ditëve më parë në lidhje me George Soros dhe planet për instalimin e një junte në vend, për të cilat tha se “një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta. Është e qartë se këto agjenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në”.
Intervista e Presidentit Meta dhënë për gazetën “Kathimerini”
Gazetari: Duke lexuar deklaratat dhe intervistat Tuaja së fundi, dikush mund të kujtojë se Shqipëria ndodhet në buzë të greminës. E tillë është gjendja?
Presidenti Meta: Shqipëria është një vend modest, me një popullsi shumë të re europiane, me burime natyrore të pasura dhe e bekuar me bukuri natyrore mahnitëse. Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj.
Fatkeqësisht, prej disa kohësh Shqipëria ka qenë në qendër të lajmeve ndërkombëtare për një sërë çështjesh që lidhen me mosfunksionimin e sundimit të ligjit. Si kreu i shtetit të këtij vendi të mrekullueshëm, nuk mund të mos jem i shqetësuar për këto hapa prapa që duken sikur po përshkallëzohen në përmasa shqetësuese.
Në cilësinë e Presidentit të Republikës, unë mbart përgjegjësinë shtetërore për të adresuar në mënyrë të përgjegjshme çdo aspekt që na largon nga reformat dhe trajektoret tona europiane, duke pasur parasysh se ky është objektivi më unifikues dhe strategjik i popullit shqiptar.
Deklaratat e mia realiste nuk bëjnë gjë tjetër veçse e pranojnë këtë të vërtetë të trishtë, ndërsa unë vazhdoj palodhur e me vendosmëri të bëj çdo përpjekje për ta parë vendin tim që të funksionojë brenda kufijve të tij kushtetues si dhe ato të sundimit të ligjit.
Në këtë moment Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese. Është përgjegjësia ime të mos qëndroj në heshtje, por të kontribuoj në zgjidhjen e kësaj krize sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos humbasim mundësinë e vendimit që do të merret nga Këshilli Europian në tetor për të hapur negociatat e pranimit me vendin tonë.
Gazetari: Përplasja juaj me Kryeministrin z. Rama ka marrë karakteristikat e hakmarrjes. Njëri lëshon akuza shumë të rënda kundër tjetrit dhe tani Kryeministri ka vënë në lëvizje procedurën e shkarkimit tuaj. Keni ndërmend të pranoni një vendim të Parlamentit për shkarkimin tuaj? Nëse jo, çfarë do të bëni?
Presidenti Meta: Në Shqipëri sot ka vetëm një konflikt madhor. Është konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik. Ky është “nëna” e të gjitha konflikteve të tjera.
Unë kam qenë gjithmonë shumë i hapur dhe bashkëpunues me kryeministrin, me të gjitha institucionet shtetërore dhe aktorët politikë për të nxitur një qasje pozitive dhe konstruktive politike për t’u përqendruar në reformat e integrimit, si përparësi kryesore për vendin tonë.
Përgjegjësia ndaj shtetit dhe interesi më i mirë kombëtar kanë qenë dy parimet e vetme udhëheqëse në ushtrimin e detyrës time dhe unë kurrë nuk do t’i komprometoj ato për hir të marrëdhënieve personale.
Kam bërë një betim sublim si President i Republikës për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën e vendit tim dhe unë do t’i mbetem besnik atij premtimi deri në ditën e fundit në këtë zyrë.
Çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës.
Kushtetuta jonë është jashtëzakonisht e qartë në përcaktimin e Presidentit të Republikës si autoriteti i vetëm shtetëror që gëzon të drejtën për të dekretuar datën e zgjedhjeve dhe Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm me kompetencë për të gjykuar kushtetueshmërinë e një akti kushtetues.
Është në të drejtën e kryeministrit, apo të dikujt tjetër që të kërkojë e të përpiqet të kapë me çdo kusht të gjitha institucionet e pavarura, por Shqipëria i ka thënë autoritarizmit njëherë e përgjithmonë “kurrë më”.
Gazetari: Folët për një plan instalimi të një junte që ka si qëllim krijimin e shtetit paralel në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe përcaktuat si ‘’njeri të përshtatshëm‘’ për të, Edi Ramën, dhe frymëzues, Xhorxh Sorosin. Çfarë dini konkretisht për këtë plan?
Presidenti Meta: Unë thjesht e kam gërmëzuar qartë dhe saktë se si një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta.
Është e qartë se këto agjenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në.
Demokracia dhe sundimi i ligjit gjenden në zemër të këtyre marrëdhënieve dhe si të tilla, ato kurrë nuk do të jenë subjekt për negociata.
Shqiptarët e sinqertë dhe punëtorë nuk do të pranojnë kurrë të jenë koloni në shërbim të pastrimit të parave dhe të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ata kurrë nuk do të pranojnë të keqpërdoren si shkak për turbullira në një rajon ku ata kanë qenë historikisht më të paqtët, megjithëse kanë kaluar vuajtje të tmerrshme. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndërrojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Kjo duhet të jetë e qartë!
Gazetari: Cila është përgjigja për ata që mendojnë se Shqipëria është kthyer në Kolumbinë e Europës për shkak të narkotikëve? Shënoj këtu se ky imazh në botë është krijuar prej akuzave që bëhen brenda Shqipërisë për përfshirje të pushtetit politik me narkotikët, akuza që arrijnë të shigjetojnë edhe vetë Kryeministrin.
Presidenti Meta: Agjencitë e specializuara ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me këto dukuri negative, të cilat, dhe unë duhet ta theksoj këtë, nuk kanë të bëjnë fare me shumicën e madhe të njerëzve tanë të jashtëzakonshëm.
Ne nuk mund të lejojmë që të besojmë në mënyrë naive se këto raporte bazohen në debatet e brendshme. Këto janë çështje serioze, që konsiderohen më profesionalisht nga ato agjenci, të cilat ndihmojnë me zemërgjerësi institucionet tona për të përmirësuar dhe rritur kapacitetet e Shqipërisë në luftën botërore kundër kultivimit të narkotikëve dhe trafikimit të tyre.
Janë pikërisht këto raporte dhe skandale të tjera të ekspozuara në mediat vendase dhe ato ndërkombëtare, që kanë krijuar dyshime lidhur me vullnetin e vërtetë politik të investuar nga aktorët shtetërorë në këtë luftë.
Në këtë drejtim, dua të theksoj nevojën për të shumëfishuar përpjekjet e agjencive të zbatimit të ligjit në këtë fushë, duke mbështetur plotësisht të gjitha ato gra dhe burra të guximshëm, të cilët përballen çdo ditë me këta fajtorë kriminelë.
E urrej shprehjen “Shqipëria është Kolumbia e Europës”, që përdoret nga shumë media tani për tani, sepse vendi im ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u bërë Zvicra e Ballkanit.
Gazetari: Me një atmosferë të tillë politike, mendoni se vendi juaj duhet të marrë datë hapjeje të negociatave të anëtarësimit në vjeshtë? Nëse Ju do të ishit në vend të një udhëheqësi të një vendi europian, do të votonit pro hapjes?
Presidenti Meta: Kur ka vullnet, gjithmonë ekziston një mënyrë zgjidhjeje. Tetori nuk është larg, por ne jemi ende në kohë për ta transformuar këtë krizë të thellë në një mundësi reale europiane për hir të popullit shqiptar. Kryeneçësia për të qëndruar indiferentë ndaj rrethanave të përkeqësuara aktuale apo edhe më keq, për të ecur verbërisht drejt një regjimi njëpartiak do të ketë pasoja shkatërruese për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.
Demokracia dhe sundimi i ligjit janë përgjigja më e mirë dhe i vetmi shërim për çdo lloj krize të brendshme në një vend të NATO-s.
Bazuar në këtë besim, unë kam paraqitur përsëri një propozim të ri për të mbajtur zgjedhje trillojëshe më 13 tetor: zgjedhjet vendore, parlamentare dhe presidenciale. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asnjë propozim kundërshtuese, ose reagim ndaj propozimit tim. Jam ende duke pritur, me durim.
Mbetem me shpresë se do të mbizotërojnë pjekuria, përgjegjësia dhe interesi më i mirë kombëtar./Top Channel
Vullneti e quan ‘fake’, Gresa: Nuk je më i rëndësishëm për m...
Konsumatorët ankohen për ngitje çmimesh, kërkohet kontroll n...
Cilat kompani gjermane do të largojnë mijëra punëtorë?
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...