809 shqiptarë në ishujt grekë pajisen me dokumente biometrike pranë vendbanimit

11:10 | 4 Maj 2023
A. B.

Finalizohet me sukses projekti “Ishulli 2023” për ofrimin e shërbimeve për pajisje me dokumente biometrikë për shqiptarët në ishujt grek të Kretës dhe Rodosit.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila njofton se 809 shtetas shqiptarë me banim në Greqi, kanë përfituar shërbime për pajisje me dokumente biometrikë.

“Ministria e Jashtme dhe ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi finalizuan me sukses projektin “Ishulli 2023” për ofrimin e shërbimeve për pajisje me dokumente biometrikë për të gjitha kërkesat e dërguara nga bashkatdhetarët tanë me banim në Kretë, Rodos dhe ishujt përreth”, u shpreh Xhaçka.

“809 shtetas shqiptarë me banim në Greqi, nga bebe të porsalindura e deri te personat në moshë të thyer, kanë përfituar shërbimin, duke reduktuar kostot e dokumenteve të tyre biometrikë si dhe distancat e largëta. Projekti zbatohet për të tretin vit radhazi në bashkëpunim me autoritetet greke”, shkruan Xhaçka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme