Tirana përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në ceremoninë e nderimit pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur morën pjesë një numër i madh personalitetesh, përfaqësues të qeverisë, veteranë të LANÇ-it dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë për ta mbrojtur lirinë, teksa sot kryeqyteti jeton ditët e veta më të mira.
“80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit, ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi dhe dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë, por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur”, tha Veliaj.
Ai shtoi se ruajtja e së kaluarës nuk është thjesht një detyrim moral, por edhe një akt përgjegjësie për të ardhmen, se trashëgimia jonë kulturore dhe historike është themeli mbi të cilët ndërtojmë identitetin dhe aspiratat tona për të ardhmen.
“Një tjetër luftë vazhdon sot. Lufta ndaj një armiku që nuk ka uniformë dhe as armë, por që ngjitet si një hije e së shkuarës në mendësitë e vjetra dhe zakonet që na mbajnë peng. Sot, barrikadat nuk janë më prej karrocash, karrigesh apo mobiliesh të vjetra, por prej frikës dhe hezitimit për të ndryshuar e për të përqafuar progresin. Fasadat e dëmtuara nuk janë më nëpër rrugë, por në mendjet tona, ku shpesh mbajmë të pandryshuara besimet që i përkasin një kohe tjetër. Si atëherë, kjo është një betejë rrugë më rrugë, ide më ide, mendje më mendje dhe zemër më zemër. Si atëherë, kërkon guxim për të ngritur flamurin e një të ardhmeje më të mirë se sa e sotmja”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se ashtu si partizanët kapërcyen ndasitë për çlirimin e Tiranës, qytetarët sot duhet të ngrihen mbi ndasitë dhe konfliktet e panevojshme, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më moderne dhe më solidare.
“Ashtu si partizanët u ngritën mbi ndasitë e kohës për të çliruar Tiranën, ne sot ngrihemi mbi egoizmin, ndarjet dhe përplasjet e panevojshme për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të fisme, më të hapur, më solidare dhe më moderne. Por, mbi të gjitha, më progresiste dhe më të përparuar. Historia na mëson se çdo çlirim kërkon sakrifica, dhe ndonjëherë ato sakrifica janë të heshtura: të braktisim mendësitë që na mbajnë prapa, të pranojmë të renë dhe të guxojmë të sfidojmë traditat që nuk kanë më vend në të sotmen. Çdo brez ka luftën e tij dhe, ndonëse e jona nuk ka predha dhe mortaja, ajo kërkon të njëjtën forcë shpirtërore dhe të njëjtin idealizëm. Sepse, siç mësoi Tirana atë mëngjes të çlirimit, çdo shkatërrim, sado i madh, mund të jetë fillimi i një jete të re. Kjo vlen si për qytetet ashtu edhe për zemrat dhe mendjet tona. Sepse ‘sakrifica është çmimi që paguajmë për lirinë’”, u shpreh Veliaj./abcnews.al
Mevlani flet për videon e ish-të dashurës: Ka qenë e tepruar...
Panairi i Librit ul siparin, Tom Kuka shpallet autori më i m...
“Kam bërë tetë transfuzion gjaku dhe kam humbur 11 kg” – Tys...
Leo thotë se tek Lela e gjen qetësinë, Gjesti i bën pyetjen ...
Diddy akuzohet se ka tentuar të pengojë hetimin dhe ka ndiku...
Vetaksident në Duhël, kamioneta përfundon jashtë rrugës