8 Dhjetori, Begaj: Nder përjetë Dhjetoristëve dhe shpirtin rinor të Shqipërisë

09:28 | 8 Dhjetor 2024
E.G

Sot, në Ditën Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përkujtoi dhe nderoi lëvizjen studentore antikomuniste të dhjetorit ’90, e cila shënoi fillimin e pluralizmit në Shqipëri dhe rrëzimin e diktaturës.

Në një mesazh të veçantë, Presidenti vlerësoi guximin dhe vizionin e atij brezi të rinjve që u ngritën kundër regjimit dhe frymëzuan ndryshime të mëdha në vend.

Ai nënvizoi se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”, duke e theksuar këtë si një burim frymëzimi për të arritur aspiratën evropiane të kombit shqiptar.

Në mesazhin e tij, Presidenti e përmendi thirrjen historike “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, duke e lidhur atë me idealet e lirisë, demokracisë dhe integrimit në vlerat perëndimore.

 

“34 vjet më parë, studentët shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Lëvizja e Dhjetorit ’90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë dhe demokracisë dhe vlerave perëndimore. Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë,” theksoi Presidenti Begaj, duke shtuar se e gjithë Shqipëria duhet të frymëzohet nga ky akt qytetar dhe politik për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

“Nder përjetë Dhjetoristëve!” përfundoi Presidenti mesazhin e tij, duke i dhënë kështu një dimension përkujtimi dhe falenderimi për të gjithë ata që kontribuuan në këtë transformim historik të Shqipërisë.

/rtsh.al/

Të ngjashme