Kokaina është një nga drogërat e forta të rralla në Shqipëri. Trafikimi i saj nga vendet e Amerikës Latine si Kolumbia apo Ekuadori konsiderohet me risk të lartë dhe kanë qenë të pakta grupet e zbuluara në këtë fushë.
Ajo vjen në Europë e fshehur në kontenierë të mbushur kryesisht me fruta ekzotikë, por edhe e shkrirë në vaj palme apo rroba. Në Shqipëri janë zbuluar disa laboratorë kokaine ndërsa janë vënë në pranga edhe “ekspertë” të huaj për filtrimin e saj.
2001/ Rasti i parë “Journey Italia”
Ishte operacioni më i bujshëm i kohës që çoi në pranga zyrtarë të lartë në polici dhe prokurori të cilët kishin vendosur lidhjet me kartelet kolumbiane për sjelljen në Shqipëri të sasive të mëdha të kokainës. Operacioni përfshiu 7 shtete dhe disa agjenci të huaja zbulimi që lajmëruan homologët shqiptarë të kohës.
Në pranga u vu ish-shefi i policisë gjyqësore, Sokol Koçia. Në krye të gjithë këtij rrjeti u përfol Frederik Durda. Sipas hetimeve të kohës ai kishte udhëtuar deri në Kolumbi ku kishte vendosur kontakte me kartelin Medelin të Pablo Eskobar. Hetuesit thanë se disponojnë foto të Durdës në bordet e helikopterëve privatë, apo pranë vilave dhe kuajve te racës ne Kolumbi. Në Shqipëri, nga 19 qershori 1999, e vizituan njeri pas tjetrit, 4 kolumbiane.
Ai kishte premtuar menaxhimin e tonelatave me drogë, që do të nisnin rrugëtimin nga Kolumbia në Venezuelë, për të përfunduar në Spanjë. Ai kishte planifikuar ndërtimin e një laboratori në Shqipëri. Plani ishte që anija e tij “Privilege” të udhëtonte drejt Spanjës për t’u ngarkuar me serë. Ngarkesa që kishte mbërritur nga Kolumbia, nëpërmjet skafeve të mafias spanjolle, do të strehohej në shtresën e dyfishte te anijes shqiptare qe lundronte me flamur maltez. Prej andej do të përfundonte në Vlorë. Aty do të ndihmonte kreu i policisë gjyqësore Sokol Koçia. Pas përpunimit droga do të nisjej në Itali me skafe dhe gomone.
Në gusht 2000 u kap në Venezuelë një anije me 6 ton kokainë e destinuar për në Europë ndërsa në Holandë u zbuluan 2 ton të tjerë. Nga Shqipëria ishte nisur anija e Durdës për tu ngarkuar me “lëndë të parë”, por ekuipazhi u urdhërua të kthehej. Gjatë kontrollit nga autoritete spanjolle nuk u gjet asgjë, përveç një shtrese të dyfishtë në bord ky dyshohet se do të fshihej droga.
Për 6 muaj pronarët e anijes u mbajtën nën përgjim derisa në 2 shkurt 2001 u vunë në pranga 21 persona në 7 shtete. 7 fletë arreste u prenë në Shqipëri. Frederik Durda, Arben Berballa, Sokol Kociu, Din Gjonaj, Vebi Hysa dhe Alfred Nanaj, u dënuan vetëm me 66 vite burg në total.
2011/ Kokaina e fshehur në vaj palme
Në 6 nëntor 2012, gjykata për Krimet e Rënda dënoi me 17 vite burg Dhimitros (Vullnet) Harizaj për akuzën e trafikimit nga Kolumbia në Shqipëri të 200 kilogramëve kokainë të tretur në vaj palme. Për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua vetëm me 11 vjet e 4 muaj heqje lirie. Bëhej fjalë për trafikimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë kolumbiane në Shqipëri. Ajo nuk mbërriti asnjëherë në vendin tonë, por “ngriti në këmbë” policitë e disa shteteve të Europës në mars të vitit 2011.
Lënda narkotike u vu re nga autoritetet spanjolle, të cilat po hetonin një linjë të trafikut të kokainës Kolumbi-Europë. Ardhja e kontejnerit ku ndodhej vaji i palmës me kokainë të shkrirë, u mbajt në vëzhgim gjatë gjithë rrugës në sajë të një bashkëpunimi të policive të vendeve përkatëse. Sipas Prokurorisë, emri i Dhimitros Harizajt “doli në skenë” kur kontejneri ndodhej në portin “Antëerp”, në Belgjikë, dhe po pritej për personat që do ta merrnin në dorëzim. Në këtë vend është shfaqur Harizaj, si personi që porositi një kompani transporti maqedonase për ta transportuar kontejnerin në Shqipëri.
Në Belgjikë, nga ana e autoriteteve ngarkesa e kontejnerit u zëvendësua me ngarkesë me ujë, por itinerari i tij nuk “u prish”. Në kontejnerin e boshatisur nga droga u vendosën pajisje sinjalizuese satelitore GPS, për të mbajtur në kontroll lëvizjen e mëtejshme të tij. Sipas Prokurorisë, nga gjurmimi nëpërmjet GPS rezultoi se kamioni ka kaluar nga Belgjika në Luksemburg, Gjermani, Austri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe së fundmi, më datë 20 mars 2011, nga Maqedonia është futur në territorin shqiptar, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës.
Sipas akuzës, Harizaj kishte informacion të plotë rreth origjinës dhe lëvizjeve të mallit, është personi që ka porositur këtë ngarkesë, ka bërë pagesën e mallit, “vajit të palmës”, ka dhënë lekët për pagesën e qirasë dhe penaliteteve të kontejnerit në Belgjike, si dhe ka dhënë shumën e lekëve që do të shërbente për zhdoganimin e ngarkesës që ndodhej në kontejnerin e mësipërm në doganën e Kakavijës – Gjirokastër, Shqipëri. Para gjykatës prokuroria paraqiti si provë edhe një përgjim telefonik të realizuar nga autoritetet spanjolle, përmes të cilit akuza pretendonte të provonte përfshirjen e një shqiptari në organizimin dhe realizimin e trafikut të kokainës.
2014/ Kokaina e kapur në Mal të Zi
Një sasi prej 250 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë është sekuestruar nga autoritetet doganore malazeze në portin jugor të Barit. Kokaina, që në fakt është sasia më e madhe që është kapur ndonjëherë nga Mali i Zi, u zbulua në një anije që transportonte banane nga Amerika e Jugut, (Ekuador) dhe që kishte destinacion Shqipërinë. Sasia e lëndës narkotike u gjet e fshehur nën dyshemenë e një prej kontenierëve dhe ishte e ndarë në 200 pako, ndërsa vlera e lëndës narkotike nëse do të hidhej në treg arrin në 17 milionë dollarë. Ngarkesa me bananet ishte porositur nga kompania “Rrapo Company” me qendër në Fier me pronarë Dritan dhe Nezike Rrapaj. Ata u arrestuan, por më pas u lanë të lirë për mungesë provash.
2014/ Laborator kokaine në Fushë Kuqe
Një laborator heroine dhe kokaine u zbulua në qershor 2014 në zonën e Laçit, ku veç sasive të mëdha të drogës, u sekuestruan edhe armë automatike, snajperë dhe lëndë eksplozive. Pikënisja e aksionit ka qenë një kimiste, që dyshohet se punonte për rrjetin e trafikut, ka shkuar nga Tirana në Prishtinë. Në pranga përfunduan 7 persona, 4 në Tiranë, Laç dhe Morinë dhe 3 të tjerë në Kosovë, mes tyre edhe kimistja Valentina Tufa. U zbulua rreth 74 kilogram kokainë. Drejtuesi i këtij rrjeti, ishte Gëzim Çela ende në arrati.
Gjatë operacionit u gjetën në njëk vilë në Fushë Kuqe të Laçit dhe 850 litra përzierës, një mjet i blinduar, si dhe armë e municione luftarake. Kjo godinë dyshohet se ishte kthyer edhe në një laborator droge ku bëhej përzierja, ndarja dhe peshimi i lëndës narkotike me mjetet përkatëse. Në një kasafortë të vilës u gjetën 143 mijë euro, disa orë të kushtueshme dhe bizhuteri të ndryshme. Një laborator tjetër u zbulua në Prishtinë, pikërisht atje ku kontrollohej cilësia e lëndës narkotike para se të nisej në drejtim të Shqipërisë.
2015/ Laboratori i Xibrakës
Ishte janar i vitit 2015 kur në një aksion ku u përfshinë edhe Interpoli dhe Europoli, në fshatin Xibrakë të Elbasanit u zbulua një laborator gjigant për përpunimin e kokainës. Policia tha se zbuloi 100 kg kokainë e pastër, si dhe 4 ton përzierës kokaine në laboratorin e drogës më i madhi i zbuluar në Ballkan. 13 persona përfunduan në pranga, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Operacioni u organizuar nga Interpol dhe Europol pas një hetimi disamujor, ku rezultonte se droga mbërrinte e përzier me vaj palme nga vendet e Amerikës Latine, dhe këtu bëhej ndarja e saj. Më pas, droga kishte si destinacion vendet e Europës. Gjatë operacionit u arrestua edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha dhe bashkëshorti i këngëtares Rrezarta Shkurta.
Pas një maratone në gjykata, Apeli për Krime të Rënda dënoi 9 të akuzuarit me vetëm 69 vite burg nga 104 vite që dha gjykata e shkallës së parë. Të gjithë të pandehurit përfituan uljen e dënimit me një të tretën. Kreu i grupit, Genci Xhixha dënua në mungesë me 8 vite e 8 muaj burg. Ndërsa Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha u dënua me 6 vite e 8 muaj. Dy kolumbianëve Cesar Avila dhe Valter Moreno iu ulën 4 vite nga dënimi i Shkallës së Parë duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burg. Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar vazhdimisht se pas këtij laboratori qëndronte Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
2018/ I gjashti i vërteti
Rasti i gjashtë i kapjes së kokainës në Shqipëri është padyshim ai i kapjes së 613 kg kokainë në portin e Durrësit. Ajo kishte mbërritur nga Kolumbia në një kontenier me banane për një kompani në Maminas të Durrësit. Në pranga janë vënë 2 persona ndërsa disa të tjerë janë në kërkim. Vlera e drogës së kapur shkon mbi 180 milionë euro. /Lapsi.al/
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit