Ka shkuar në më shumë se 500 vetë numri i të helmuarve që kërkojnë trajtim nga mjekët për shkak të helmimit nga uji në Krujës. Pacientë të të gjitha moshave, fëmijë dhe të moshuar paraqiten me diarre, të vjella dhe temperaturë pasi konsumuan ujë nga rubineti.
Prokuroria nisi hetimet për këtë çështje, megjithëse nuk ka ende një të akuzuar pasi nuk ka përcaktuar ende shkaqet e ndotjes së ujit të pijshëm. Në njoftimin që shpërndau për mediat thuhet se “është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës”.
Por ndotja e ujit tashmë është faktuar edhe nga Ujësjellësi i Krujës që konfirmoi se nga analizat paraprake ka pasur sasi të amoniakut mbi normën e lejuar në ujë. Në deklaratën e Ujësjellësit u tha se shkak ishin bërë reshjet e shumta në Malësinë e Krujës, por pistat në të cilat po heton prokuroria janë të tjera.
E para është ndërhyrja e kultivuesve të kanabisit në Malësinë e Krujës, të cilët kanë çarë tubat e ujësjellësit për të furnizuar me ujë tokat e mbjella me bimët narkotike.
Pista e dytë është ndotja e ujit nga jashtëqitjet e stallës së bagëtive që është ndërtuar në krah të ujësjellësit të Krujës. Kjo është më pak e mundshme, pasi ujësjellësi ka nisur punën prej muajsh tashmë, ndërsa helmimi i qytetarëve ka ndodhur vetëm ditët e fundit.
Pista e tretë e hetimit është çarja e tubacionit për shkak të investimit të dobët nga kompania që realizoi projektin. Dyshimet janë se pas çarjes së tubave, uji i pijshëm është përzier me fekalet e ujërave të zeza dhe është konsumuar nga banorët e Krujës.
Gjithsesi banorët dyshojnë për një helmim të qëllimshëm. Ende pa dalë lajmi në media, tregoi një prej tyre, në qytet nisën të qarkullojnë mjetet që shisnin ujë të pijshëm.
“Këta flenë dhe zgjohen me idenë se si t’i bëjnë keq këtij populli. Pa shkuar ende lajmi për helmimin në Tiranë këtu filluan të qarkullojnë furgonat e ujit të paketuar. Unë dyshoj se është bërë me qëllim për të shitur ujin e paketuar”, u shpreh qytetari për mediat.
“Nga raportimet që më kanë ardhur nga ISHP dhe OKV janë ende në pritje të përgjigjeve të analizave përsa i përket analizave që janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit. Dua të theksoj se tashmë në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar” tha ajo.
Ujësjellësi i Krujës furnizohet nga 8 burime të ndryshme. Investimi u inaugurua gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 Prillit nga kryeministri Edi Rama, deputjeta Milva Ikonomi dhe kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Kryeministri u garantoi atëherë qytetarëve të Krujës së më në fund do të kishin furnizim 24 orë në ditë me ujë dhe se uji i rubinetit ishte i pijshëm. Kreu i qeverisë nuk ka folur ende për këtë çështje./Lapsi.al
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...