Ministri Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit vizitojnë policët e dëmtuar në protestën e opozitës

23:21 | 7 Tetor 2024
E.G

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë,  Ervin Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilluan një vizitë në Spitalin e Traumës, ku po trajtohen efektivët e lënduar, gjatë protestës së opozitës.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se gjendja shëndetësore e efektivëve të lënduar është e mirë.

“Kanë dëmtime të lehta, disa kanë lënë spitalin. Tre janë ende nën vëzhgimin e mjekëve. Menaxhimi i tubimit ka qenë në përputhje të plotë me ligjin. I falënderoj për punën, përkushtimin dhe detyrën e kryer. Asnjë nga tubuesit dhe qytetarët nuk është lënduar dhe dëmtuar, përveç punonjësve të policisë. Numri i punonjësve të policisë të lënduar është 10”, tha Hoxha, shkruan rtsh.al.

Ministri Hoxha tha se protesta ishte e dhunshme.

“U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe selinë e PS. Ky sulm, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë turmën duke përdor edhe gazin lotsjellës. Përgjigjja e policisë është konform ligjit”, theksoi Hoxha.

Ai në fund theksoi se, Policia e Shtetit sot ishte në standardet e një policie evropiane, megjithëse kjo protestë konsiderohet e dhunshme.

Ai po ashtu ka shkruar edhe në rrjetin e tij social Faebook, ku ka thënë se çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese.

“I garantoj qytetarët e këtij vendi se bllofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit.”, ka shkruar ai.

 

Të ngjashme