4.2 milionë turistë vizituan Shqipërinë vitin e kaluar

16:32 | 27 Maj 2017
Arbresh.info

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Milva Ekonomi, mori pjesë në aktivitetin turistik ‘Dita e Turizmit Malor’, organizuar nga Bashkia e Malësisë së Madhe, në pikën turistike të Razmës, ngjarje kjo turistike për të promovuar vlerat e veçanta të turizmit natyror në këtë zonë të bukur në veri të Shqipërisë.

Ministrja Ekonomi foli për reformat ekonomike në përgjithësi që ka kryer qeverisja PS-LSI në 44 muaj të mandatit të parë, përfshi dhe sektorin e turizmit.

“Në 44 muaj qeverisje, arritëm të kemi një ekonomi më të mirë, qeverisje me të mirë, më moderne dhe më transparente, më afër qytetarëve. Janë ndërmarrë shumë reforma për ta bërë ekonominë shqiptare të rritet. Përpjekjet kanë qenë të mëdha, reformat të dhimbshme, por ne jemi të bindur se pa reforma nuk mund të shkojmë përpara për një zhvillim të denjë ekonomik të Shqipërisë. Në qendër të zhvillimit ekonomik duhet të jetë qytetari shqiptar, i cili që duhet të trajtohet me të njëjtin dinjitet si qytetarët e tjerë në Evropë”, tha Ekonomi, raporton Koha.net.

Më tej, ajo u ndal te shifrat e turizmit që për vitin e kaluar kanë qenë shumë pozitive, duke shpresuar të ruhet i njëjti trend dhe këtë vit. Ajo tha se vjet numri i turistëve u rrit me rreth 15% më shumë, ose thënë ndryshe 4.2 mln turistë vizituan Shqipërinë nga veriu në jug në 2016.

“Por që burimet natyrore siç është dhe Razma, të kthehen në destinacione turistike, duhet patjetër që të kesh rend publik dhe siguri, të cilin ne e kemi arritur si dhe të kesh rrugë më të mira, dhe prandaj fondet shkojnë pikërisht në rindërtimin e këtyre rrugëve, ndërkohë që këto rrugë duhet të krijojnë lidhje me burimet turistike”, tha ministrja Ekonomi.

Ajo shtoi se nuk duhet harruar dhe mbështetja që kjo qeveri i ka dhënë sipërmarrjes turistike, përmes një premtimi të mbajtur, siç është ulja e TVSH për strukturat akomoduese nga 20% në 6 %.

“Tashmë jemi njësoj me vendet e tjerat të rajonit, ndaj turisti nuk ka pse largohet nga Shqipëria për çmim më të lartë”, tha Ekonomi, ndërsa theksoi se objektivi kryesor i kësaj takse është ulja e informalitetit në sektorin e turizmit

“Ka ende shumë për të bërë. Ne duhet të vazhdojmë reformat, të kapërcejmë vështirësitë që kemi përpara, për t’u dhënë të rinjve shqiptarë besim se Shqipëria është vend ku jetohet me punë të denjë dhe të mirëpaguar. Premtojmë se sektorin e turizmit do ta kthejmë në sektor të formalizuar duke përdorur çdo burim që kemi dhe duke bërë këtë promovime, si ky që ju po bëni sot”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme