Kuvendi i Shqipërisë mirato dje me 73 vota pro një nga lidhet më të rëndësishme dhe me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e mijërave familjeve.
Bëhet fjalë për ligjin për strehimin social, i cili rregullon dhe krijon mundësinë për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm për familjet në nevojë. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, njësitë e qeverisjes vendore përzgjedhin individët dhe familjet, të cilët përfitojnë për t’u përfshirë në një nga programet e strehimit.
Kategoritë shoqërore që përfitojnë janë personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, fëmijët, individët me statusin e jetimit, familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit, familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), punonjësit e repartit RENEA, viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom, anëtarë të komunitetit egjiptian, të miturit në konflikt me ligjin, vajzat nëna, komunitetin LGBTI etj.
Ndërkaq, sipas ligjit, përparësi për t’u strehuar do të kenë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi, që banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje, që banojnë në banesa të mbipopulluara, që kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore etj. Sipas rasteve, janë parashikuar 6 programe sociale, konkretisht programi i banesave sociale me qira, programi i banesave me kosto të ulët, programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi etj.
Aplikimi për strehim
Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit. Individi ose familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përzgjedhja
Ligji parashikon që përzgjedhja e familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi i cili miratohet dhe publikohet për çdo program nga bashkia, bazuar në parimet e parashikuara në këtë ligj si dhe kriteret e bëra publike përpara fillimit të procesit të aplikimit. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese me anë të sistemit të pikëzimit përfshihen individë/familje të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi. Bashkitë hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit, për çdo vit, të specifikuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore dhe për çdo program që zbatohet në ato, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Kryetari i bashkisë vendore duhet të sigurojë listat e përfituesve brenda një afati dy mujor, nga data e njoftimit nga ana e subjektit publik ose privat që ofron dhe realizon një nga programet sociale të strehimit, kur ky subjekt nuk është vetë njësia e vetëqeverisjes vendore. Hartimi i listës së përfituesve kryhet nga zyra përgjegjëse ose struktura e ngarkuar nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve dhe dokumentacioni përkatës vlerësohet nga komisioni i strehimit dhe miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Programi i banesave sociale me qira
Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
Programi i banesave me kosto të ulët
Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
Programi për krijimin e banesave të përkohshme;
Programi i banesave të specializuara.
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve për t’u strehuar
1. Familjet me përparësi
Familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi;
Banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
Banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
Kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
Familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
Banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit si rezultat i investimeve publike.
2. Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi
Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna;
Të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
Familjet me më shumë se katër fëmijë;
Bashkëshortët, mosha e përgjithshme e përbashkët e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
3. Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi
Personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
Individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;
Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;
Emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;
Familjet e policëve të rënë në detyrë;
Punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);
Punonjësit e repartit RENEA;
Punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin;
Viktimat e dhunës në familje;
Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
Anëtarët e komunitetit rom;
Anëtarë të komunitetit egjiptian;
Të miturit në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur, pas ekzekutimit të dënimit;
Vajzat nëna;
Individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura./Shqiptarja.com
Japonia dhuron pajisje mjekësore për spitalin e Gjilanit dhe...
Maqedonci takon deputeten nga Suedia, flasin për situatën e ...
Lufta në Gaza shton papunësinë dhe varfërinë në Bregun Perën...
Muzeu Etnografik i Kavajës, i rilindur, Rama: Rrëfimet histo...
Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë...
Të shtëna me armë zjarri në Malishevë, arrestohet një i mitu...